Agim Sulaj
27 Mars 2021•Përditësim: 28 Mars 2021
Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë bërë të ditur se 11 persona të infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) kanë vdekur në 24 orët e fundit, duke çuar numrin e përgjithshëm të viktimave nga ky virus në 1.830, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) edhe 873 raste të reja janë diagnostikuar pozitiv me koronavirus, që paraqet numrin më të madh të rasteve pozitive për këtë vit brenda 24 orëve, derisa numri i tyre ka shkuar në gjithsej 87.067 raste.
Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK dhe laboratorët private janë testuar gjithsej 4.371 mostra të dyshuara me COVID-19, ndërsa nga fillimi deri më tani janë testuar gjithsej 410.169 mostra.
Sa i përket numrit të të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 544 pacientë të rinj, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka shkuar në gjithsej 71.813 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.424.