Abdula Berisha
03 Janar 2022•Përditësim: 03 Janar 2022
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës në raportin 24-orësh lidhur me rastet e reja të koronavirusit të ri (COVID-19), ka bërë të ditur se asnjë person i infektuar me koronavirus nuk ka vdekur, derisa numri i viktima nga ky virus mbetet 2.991, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), vendi ka regjistruar 38 raste të reja me koronavirus, me çka numri i tyre ka shkuar në gjithsej 161.598.
Në 24 orët e fundit në institucionet shëndetësore janë testuar gjithsej 3.711 mostra të dyshuara për COVID-19, derisa deri më tani janë bërë 1.389.817 teste.
Të dhënat e fundit kanë njoftuar për 7 persona kanë fituar betejën me koronavirusin. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka arritur në 158.067, ndërsa numri i rasteve aktive është 540.
Sa i përket procesit të vaksinimit, gjatë 24 orëve të fundit janë dhënë 330 doza të vaksinës, ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.674.839 doza të vaksinës. Deri më sot 783.180 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.
Nga sot hynë në fuqi masat e reja sipas së cilave për të hyrë në Kosovë nevojitet certifikatë e vaksinimit me dy doza kundër COVID-19. Qytetarët të cilët nuk kanë marrë dy vaksina, do të mund të vaksinohen në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe në vendkalimet kufitare në Morinë, Han të Elezit, Merdare, dhe Dheu i Bardhë.
Sipas masave aktuale, në Kosovë ndalohet lëvizja e qytetarëve nga mesnata deri në orën 5 të mëngjesit, ndërsa orari i punës së restoranteve dhe kafeterive është deri në ora 23:00.