Agim Sulaj
28 Tetor 2019•Përditësim: 29 Tetor 2019
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka filluar të hënën të shpalosë planin dhe përgatitjet e saj rreth regjistrimit të popullsisë së Kosovës, ekonomive familjare dhe banesave në vitin 2021, raporton Anadolu Agency (AA).
Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Isa Krasniqi, tha se ky projekt, duhet t’i përfshijë të gjitha standardet evropiane dhe botërore. Në këtë drejtim, ai tha se janë përkujdesur që gjithçka që realizojnë, ta bëjnë në përputhje me këto standarde.
Krasniqi tha se kanë pasur ndihmë në këtë proces edhe nga Eurostat-i, ku javën e kaluar kanë pasur takim në Ankara të Turqisë, ku është diskutuar edhe procesi i regjistrimit të popullsisë në vendet e Ballkanit.
“Agjencia e Statistikave të Kosovës edhe duke u bazuar në këshillat e Eurostat-it dhe në standardet ndërkombëtare tashmë ka të planifikuar çdo hap, çdo aktivitet në mënyrë që realizimi i regjistrimit të popullsisë 2021 të jetë ashtu siç e kemi planifikuar dhe pastaj në bazë të rezultateve që do të shpallen sigurisht që do të jenë të dhëna të rëndësishme për vendin tonë”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se për përmbylljen e fazës përgatitore për këtë raport duhet të formohen sa më parë edhe Qeveria dhe të nisë punën legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës.
Drejtor i Statistikave Sociale, njëherësh Menaxher i Regjistrimit të Popullsisë 2021, Avni Kastrati, tha është përgatitur plani i aktiviteteve kryesore, po ashtu plani i buxhetit, dokumenti mbi menaxhimin e buxhetit, plani i azhurnimit, përshkrimi i vendeve të punës etj.
“Në vitin 2017 ne kemi bërë një analizë mbi gjendjen e regjistrave administrativë në Kosovë dhe kemi ardhur në përfundim se regjistrimi i ardhshëm 2021 do të duhej të zhvillohej sipas mënyrës tradicionale, domethënë derë më derë. Sepse regjistrat administrativë për momentin në Kosovë nuk lejojnë që regjistrimi të jetë i bazuar vetëm në regjistra”, tha Kastrati.
Gjatë kësaj konference pesëditore do të ketë punëtori, veç e veç, ku do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme vendore e ndërkombëtare si komunat, akademitë, universitetet dhe institutet hulumtuese, shoqëria civile, komunitetet fetare etj.
Regjistrimi i fundit i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë është realizuar në prill të vitit 2011. Sipas statistikave nga ASK në 2011 numri i banorëve që jetonin në territorin e Kosovës ishte 1.739.825 banorë.