Agim Sulaj
11 Shkurt 2021•Përditësim: 12 Shkurt 2021
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZhR) ka filluar fazën e parë të nënshkrimit të marrëveshjeve me komunat e Kosovës për bashkëfinancim në projektin “ndërtimi dhe rehabilitimi i sistemeve të ujitjes në Kosovë”, me Komunën e Pejës, Komunën e Vushtrrisë dhe atë të Vitisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Marrëveshja u tha se është ekzekutim i një master-plani midis Kosovës, Bankës Botërore dhe Bashkimit Evropian me vlerë prej 600 milionë eurove për të ngritur sipërfaqet nën ujitje.
Ministri në detyrë i MBZhR-së, Besian Mustafa tha se plani i investimeve në sistemin e ujitës të tokave do të zgjasë 10 deri në 12 vite.
“Parashihet të investohen 600 milionë euro në 10-12 vitet e ardhshme për të ngritur sipërfaqet e tokave nën ujitje nga 20 mijë hektarët aktualë në 90 mijë hektarë në këto 10-12 vitet e ardhshme. Pra, 70 mijë hektarë më shumë toka nën ujitje në vitet e ardhshme, që i japin zgjidhje në nivel vendi problemit të sfidës së ujitjes dhe sistemit të ujitjes së tokave anë e mbanë Kosovës”, theksoi ai.
Kryetarët e komunave Pejë, Vushtrri e Viti e falënderuan ministrin Mustafa.
Ndërsa kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti tha se Kosova nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa zhvillim të sektorit të bujqësisë. Ndërsa, për zhvillimin e bujqësisë në Kosovë nevojitet zhvillimi i resurseve hidro-ekonomike.
Haliti tha se transformimi i bujqësisë në aspektin e sjelljes së përfitimit është imediat njëherësh edhe qëllimi kryesor i ministrisë dhe komunave.
“Bashkëpunimi me ministrinë dhe nënshkrimi i këtyre memorandumeve për neve është shumë i rëndësishëm dhe mendoj se në të ardhmen priten ditë të mira për fermerët e Kosovës, për bujqësinë e Kosovës dhe për zhvillimin e bujqësisë intensive si diçka që sjell përfitim dhe punësim si dhe pengim të daljes së gjeneratave të reja jashtë Kosovës”, theksoi Haliti.
Në kuadër të këtij master-plani, përfshihen një numër i madh i projekteve për rehabilitim dhe ndërtim të sistemeve të reja të ujitjes anë e mbanë Kosovës, të cilat pritet që të krijojë vende të reja të punës, duke përmbushur nevojat e bujkut dhe duke ndikuar pozitivisht në ekonominë vendore.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomash Szunyog në promovimin e këtij master-plani në janar të këtij viti ka theksuar se së bashku me fragmentimin e tokës, ujitja paraqet një sfidë kryesore strukturore me të cilën përballet sektori i bujqësisë në Kosovë.