Agim Sulaj
06 Nëntor 2019•Përditësim: 07 Nëntor 2019
Sot në Prishtinë u hap konferenca dhe ekspozita ballkanike treditore "Ujë për të gjithë" e organizuar nga Shërbimi për Ujësjellës dhe Kanalizim i Kosovës (SHUKOS) dhe Shërbimi për Ujësjellës dhe Kanalizim i Shqipërisë (SHUKALB) me qëllim fokusin në zgjidhjen e problemit me krizën e ujit, raporton Anadolu Agency (AA).
Konferenca e cila do të zgjasë deri të premten, ka për qellim adresimin e arsyeve të krizës së ujit duke adresuar arsyet pse kaq shumë njerëz janë lënë mbrapa në shfrytëzim.
Ministri në largim i Zhvillimit Ekonomik i Kosovës, Valdrin Lluka, tha se aktualisht ekziston një gjendje jo e mirë e sistemit të ujësjellësve në Kosovë. Ai tha se sot në Kosovë 52 për qind e ujit humbet për shkak të kyçjeve ilegale dhe rrjedhjeve nga gypat e vjetëruara.
“Ky është shqetësimi ynë kryesorë, se uji i pijes që përpunohet është duke humbur dhe Raporti i Rregullatorit tregon që humbjet vijnë kryesisht nga kyçjet ilegale. Pra, problemi kryesor dhe bazik i sistemeve tona të ujësjellësve janë kyçjet ilegale dhe keqpërdorimi i atij uji. Sa herë që ka ujë që lidhet në mënyrë ilegale në sistem, ai ujë edhe keqpërdoret, sepse konsumohet më shumë sesa që ka nevojë”, tha Lluka, i cili shtoi se me këtë çështje duhet të merret edhe qeveria e ardhshme.
Në një fjalë rasti, ministri në largim i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i Kosovës, Fatmir Matoshi, theksoi rëndësinë e investimeve në sigurimin e ujit të pijshëm.

Matoshi u bëri thirrje qytetarëve që ta përdorin ujin sa më racionalisht, “për të siguruar ujë edhe për gjeneratat që vijnë”.
“Republika e Kosovës është vendi më i varfër në botë për nga rezervat ujore dhe kjo edhe për arsye të pozitës së saj gjeografike që ka, pasi që gjithë lumenjtë tanë me një shpejtësi të madhe dalin nga vendi ynë dhe derdhen në shtete të tjera”, tha Matoshi.
"Falënderoj donatorët ndërkombëtarë për përkrahjen e madhe që po japin në fushën e ujërave, në ndërtimin e rrjeteve të ujësjellësit anekënd vendit dhe impianteve për trajtimin e ujërave të zeza", theksoi ai.
Paralelisht me konferencën, Komiteti Organizativ ka planifikuar një ambient të madh për ekspozitën ku do të ekspozohen pajisje, teknologji dhe shërbime, nga një rrjet i gjerë kompanish të sektorit privat që janë aktivë në sektorin e ujit nga Rajoni i Ballkanit.
Gjatë këtyre ditëve do të zhvillohen forume të ndryshme ku do të ofrohen platforma nga profesionistë të ujit, politikbërës dhe profesionistë të biznesit nga ky sektor, të cilët do të ndajnë përvojat e tyre në përpjekje për të ndihmuar më tej zhvillimin e sektorit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve.
Tema e Konferencës “Ujë për të Gjithë” është frymëzuar nga Dita Botërore e Ujit 2019 e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ndërsa kjo konferencë dhe ekspozitë mbahen në Kosovë për herë të shtatë.