Agim Sulaj
19 Nëntor 2020•Përditësim: 20 Nëntor 2020
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) nëpërmjet një konference ka bërë hapjen e organizimit të përvitshëm "Javët e Biznesit Kosovar 2020", e cila do të mbahet deri në mes të muajit shkurt të vitit 2021, raporton Anadolu Agency (AA).
"Unë konsumoj produkte vendore, po ju?", është slogan i përvitshëm i kësaj ngjarje ku promovohen mijëra produkte vendore nëpër vende të ndryshme të Kosovës, ku sivjet promovimi nis nga qyteti i Prizrenit.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini tha se mbi 10 mijë produkte dhe rreth 100 kompani do të jenë pjesë e javëve të biznesit kosovar, ku më shumë se 20 prej tyre do të jenë kompani që eksportojnë në Ballkan dhe në vende të Bashkimit Evropian (BE).
Shahini kritikoi deputetët e Kuvendit të Kosovës që nuk po u ndihmojnë bizneseve në vend duke mos e miratuar Ligjin për Rimëkëmbje ekonomike.
"Qeveritë gjatë gjithë kohës kanë tentuar të bëjnë ndryshime në politikat e veta, por ende mbetet shumë për t'u bërë. Ende mbetet, e sidomos në kohën e pandemisë, për ta ndihmuar prodhuesin dhe biznesin kosovar. Ligji për Rimëkëmbje ekonomike i cili po zvarritet tash e katër muaj është i pakuptimtë pse nuk kalon", tha Shahini.
Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri tha se Kosova ka "shpirt" të ndërmarrësisë dhe ndërmarrës që edhe në kohë të vështira po mund t'ia dalin ta mbajnë gjallë ekonominë.
Tahiri ka thënë se Projektligji për rimëkëmbje ekonomike nuk është elektoral dhe duhet të miratohet javën e ardhshme nga deputetët.
"E kemi bërë një ndihmë që i kemi dislokuar 60 milionë tek ju. Po ashtu ka pasur edhe një ndihmë të parë në marrje të Qeverisë ndërsa tani fatkeqësisht jemi të bllokuar me Ligjin për Rimëkëmbje për t’i dislokuar edhe mjetet tjera që lidhen me zotimet që i kemi në buxhet dhe po ashtu me zotimet që lidhen me trust", tha Tahiri.
Qëllimi i Javës së Biznesit Kosovar është promovimi i produkteve vendore dhe sensibilizimi i popullatës për cilësinë e tyre. Misioni i AKB-së është që të bashkojë shoqatat e bizneseve që ndikojnë në zhvillimin e sektorit ekonomik dhe privat, ndërtimin e partneritetit të qëndrueshëm në mes të sektorit publik dhe privat me qëllim të rritjes së punësimit dhe plotësimit të kërkesave të konsumatorëve.