Figen Shaban
29 Nëntor 2017•Përditësim: 30 Nëntor 2017
PRISHTINË (AA) – Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), organizoi hapjen solemne të projektit tradicional "Javët e Biznesit Kosovar 2017", raporton Anadolu Agency (AA).
Projekti 15 vjeçar "Javët e Biznesit Kosovar 2017" u hap zyrtarisht në Prishtinë për të vazhduar me aktivitete të ndryshme nëpër tërë territorin e Kosovës, në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës, Turqi dhe në vendet e Bashkimit Evropian me aktivitete promovuese, konferenca, tryeza, analiza hulumtuese, Forumin Ndërkombëtar Biznesor si dhe me aktivitetin e datës 17 shkurt 2018 - “Kremtimi i 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës” me produkte vendore.
Haradinaj gjatë fjalës së tij theksoi se prodhuesi i Kosovës do ta ketë partner qeverinë e vendit ku qeveria me anë të politikave fiskale dhe me çështjen e derivateve për bujqit do ta ndihmojë prodhuesin. Ai tha se në vende të zhvilluara ekonomikisht prodhimet vendore gjithmonë kanë përparësi dhe shërbehen të parat.
“Nuk humbin tregtarët nëse konsumohet produkti vendor sepse edhe produktin vendor dikush duhet ta trajtojë, pra dikush do ta shesë atë, prodhuesi nuk shkon vetë në tezgë. Tregtarët fitojnë dhe aftësohen dhe disa produkte vendore që vërtetë kanë kualitet duhet ta kenë mundësinë e promovimit edhe nëpër shumë vende të botës. Pra, ato duhet ta kenë këtë privilegj”, tha kryeministri Haradinaj.
Agim Shahini, kryetari i AKB-së, i cili bëri hapjen zyrtare të projektit tha se që 15 vite me radhë “Javët e Biznesit Kosovar” ështe një projekt mbarëpopullor dhe mbarështetëror i cili i jep fuqi qëndrueshmërisë prodhuese.
Ai tha se “Javët e Biznesit Kosovar 2017” organizohen në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, me qëllimin kryesor të promovimit të ekonomisë, rritjes së konsumimit të prodhimeve kosovare, stimulimin e bizneseve vendase, përmirësimin e cilësisë së prodhimeve sipas standardeve më të larta dhe inkurajimin e Qeverisë së Kosovës që të vazhdojë të krijojë mjedis të favorshëm afarist për një zhvillim më të hovshëm ekonomik.
Duke iu drejtuar konsumatorëve të vendit, Shahini theksoi se pa konsumatorët nuk ka zhvillim sepse ata janë shtylla më e fuqishme e shtetit, si konsumues, si veprues me të drejtë që të “kërkojnë rritjen e kualitetit jetësor dhe mallra me cilësi më të lartë”.
“Ju biznese prodhuese duhet edhe më shumë të bëni që të krijoni mundësi për prodhim, punësim dhe të jeni në treg të barabartë, shpesh edhe të përbuzur nga konkurrenca e jashtme e cila ështe e padrejtë. Shpresoj se edhe kjo do të tejkalohet. Me këtë dua të them se ne jemi në konkurrencë të hapur por duhet të ketë gjithmonë përkujdesje kontrolli institucional të shtetit”, tha Shahini.
Në hapjen solemne përveç kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, morën pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike i Kosovës, Dardan Gashi, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, prodhues dhe ndërmarrës nga shumë vende të Kosovës.