Agim Sulaj
19 Tetor 2021•Përditësim: 20 Tetor 2021
Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit 1 person i infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) ka vdekur, duke bërë që numri i përgjithshëm i viktimave nga ky virus të shkojë në 2.974, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), vendi ka regjistruar 17 raste të reja me koronavirus, me çka numri i tyre ka shkuar në gjithsej 160.558.
Në 24 orët e fundit në institucionet shëndetësore janë testuar gjithsej 2.355 mostra të dyshuara për COVID-19, derisa deri më tani janë bërë 1.245.952 teste.
Sa i përket numrit të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 86 raste të reja. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka arritur në 157.022 ndërkohë numri i rasteve aktive me COVID-19 është 562.
Sa i përket procesit të vaksinimit, gjatë 24 orëve të fundit janë dhënë 10.185 doza të vaksinës, ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.507.657 doza të vaksinës. Deri më sot 675.582 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.