Agim Sulaj
16 Mars 2020•Përditësim: 17 Mars 2020
Ministria e Shëndetësisë së Kosovës njofton se edhe 2 persona janë diagnostikuar me koronavirus sot, duke çuar në 15 numrin total të të prekurve me Covid-19, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç thuhet në njoftimin e ministrisë bëhet fjalë për “dy të fejuar të ardhur nga Londra sot më datë 16.03.2020 me fluturim direkt Londër-Prishtinë”.
“Të dytë kanë qëndruar në Londër nga data 4 mars deri me datën 16 mars 2020 dhe sot janë detektuar nga shërbimet shëndetësore të aeroportit ndërkombëtar 'Adem Jashari' dhe të përcjellë me auto-ambulancë për në Klinikën Infektive-SHSKUK. Rastet janë me vendqëndrim nga fshati Korishë-Prizren dhe tjetri nga komuna e Obiliqit. Njeri i gjinisë mashkull dhe tjetri rast i gjinisë femër, të dytë të moshës 26 vjeçare”, thuhet në njoftim.
Nga data 8 shkurt 2020 deri më 16 mars 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 263 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe gjithsej 15 prej tyre kanë rezultuar pozitiv.
Në qendrën e thirrjeve deri më tash janë pranuar në total 1600 thirrje me ata të cilët kanë dyshime mbi simptomat e tyre, ndërsa vetëm sot nga orët e hershme të mëngjesit janë pranuar 215 thirrje telefonike.
Ministria e Shëndetësisë njofton se “nga data 1 shkurt 2020 deri më 16 mars 2020 në Aeroportin ndërkombëtar 'Adem Jashari' si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 10.653 udhëtarë. Në Aeroportin 'Adem Jashari' 479 udhëtarë, Merdare 4.264, Vërmicë 2.989, Jarinje 742, Dheu i Bardhë 552, Hani i Elezit 734, Kullë 534, Qafë Morinë 41, Bërnjak 178, Qafë Prush 15, Muçibabë 124 dhe Glloboçicë 1 udhëtarë”.
Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP), në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.
Ekipet e Qedrave Rajonale Shëndetësisë Publike në rajonet përkatëse janë në terren “dhe janë duke i kontakuar kontaktet e kontakteve të rasteve pozitive me Covid-19 për mbikëqyrje të rreptë për 14 ditë duke rekomanduar që personat të vetëizolohen dhe ataqë kanë simptome të lajmërohen në klinikën infektive”.
Deri më tani 3 komuna janë në karantinë në Kosovë që pas daljes së rasteve të para; Komuna e Klinës, Komuna e Malishevës dhe Komuna e Vitisë, ndërsa Qeveria e Kosovës që dje ka shpallur “gjendje emergjente të shëndetit publik”.