Agim Sulaj
01 Maj 2019•Përditësim: 02 Maj 2019
Me protestë e ka shënuar 1 Majin, Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Punëtorëve, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), para Teatrit Kombëtar të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Dhjetëra qytetarë të cilët i janë bashkuar kësaj proteste kërkuan punë dhe paga të dinjitetshme dhe siguri dhe shëndet në punë, nëpërmjet një marshi nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri në sheshin “Skënderbeu”.
Kryetar i BSPK-se, Avni Ajdini, tha se padrejtësitë ndaj punëtorëve në Kosovë janë të mëdha, që nga orari i zgjatur i punës deri në 16 orë e paga jo e dinjitetshme. Ajdini bëri thirrje nga protesta që të rritet paga minimale.
“Edhe pse paga minimale është nënshkruar dhe është zotuar më 28 dhjetor 2017, ajo ka vlerë për vitin 2018, kurse unë sot them këtu që, ajo pagë minimale nuk është 150 më, por ajo pagë minimale do të jetë 300 euro, sepse shporta e qytetarit, shporta e punëtorit, është ngritur”, tha Ajdini.
Në protestë kanë marrë pjesë edhe punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), me pankarta të ndryshme, ndër to “Qeveri, ne po prodhojmë dritë e ju po shkoni drejtë territ”.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, kritikoi ligjin për paga. Llumnica tha se sipas ligjit të iniciuar nga Qeveria e Kosovës, miratuar nga Kuvendi, punëtorët e KEK-ut duhet të punojmë vetëm nga ora 07:00 deri në ora 15:00. Por, ai thotë se sikur të ndodhte një gjë e tillë, Qeveria (objekti) do të mbetej në terr.
“Unë ju bëj thirrje dhe ju bëj me dije ashtu siç i kemi bërë Avokatit të Popullit i cili e ka të drejtën të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, amendamentet ku përfshihemi edhe ne ndërmarrjet publike të ligjit për paga. Ju bëj thirrje institucioneve që të mendojnë për punëtorin, mos të vijnë para votave dhe të na lusin se çka po kërkoni se atëherë është vonë”, tha Llumnica.
Protestës i është bashkuar edhe sindikata Zvicerane UNIA. Përfaqësuesi nga kjo sindikatë, Mattia Lentto, përmendi kushtet e vështira të punëtorëve të huaj, përfshirë ata kosovarë, në Zvicër.
“Në Zvicër, por edhe në Evropë janë duke fry era të populistëve të djathtë të cilët shërbehen me stigmatizimin e të huajve për ta përkeqësuar ligjin jo vetëm karshi të huajve dhe emigrantëve, por dhe pagave të punëtorëve. Njëri nga aspektet kryesore përpos përkeqësimit të ligjit për të huajt, krijimit të një drejtësie dyklasëshe gjithashtu lëvizja e lirë e njerëzve si një e drejtë elementare është e kufizuar. Më shumë ka të drejtë kapitali dhe ndërmarrjet të barten prej një vendi në një vend ndërsa njerëzit jo”, tha Lentto.
Gjatë vitit 2018, sipas BSPK-së në Kosovë ka pasur 23 persona të vdekur në vendin e punës, kurse këtë vit numri i të vdekurve në vendin e punës ka shkuar në tre. 50 për qind e punëtorëve të sektorit privat punojnë pa kontrata pune, pa siguri e një pjesë e tyre janë edhe nën moshë madhore.