Agim Sulaj
01 Tetor 2022•Përditësim: 03 Tetor 2022
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka njoftuar zyrtarisht sot se kanë pezulluar grevën e filluar më 25 gusht në arsim dhe në administratën publike deri në janar të vitit 2023, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Këshillit Grevist të BSPK-së, Rrahman Jasharaj ka thënë se greva pezullohet dhe se shpresojnë që në janar të vitit 2023 nuk do të ketë nevojë për vazhdim të saj.
Jasharaj ka thënë se pezullimi ka qenë vendim i shumicës së grevistëve.
“Qeveria dhe opinioni le ta dinë se greva nuk po mbyllet por po pezullohet deri në janar të vitit 2023 bazuar në vullnetin e deklaruar të anëtarësisë tonë edhe pse rezultatet e deklarimeve të anëtarësisë janë me diferencë jo shumë të madhe. Uroj që qeveria ta ketë marrë një mesazh të qartë për grevën, uroj që qeveria të mos e merr këtë deklarim tonin për pezullim si fitore, sepse nuk ka fituar askush”, tha Jasharaj duke shtuar se shpreson që Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës ta mbajë fjalën për miratimin e Ligjit për Paga.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli tha se greva e tyre ka qenë e ligjshme.
“Greva ka qenë e ligjshme dhe e nevojshme dhe greva ishte detyrim sindikal dhe u përdor si mjet i fundit në raport me qeverinë. Greva nuk ishte dhe nuk do të jete akt personal i askujt as individual e as i ndonjë grupi individësh. Greva është e përcaktuar në Kushtetutë dhe mbrohet edhe me aktet e së drejtës ndërkombëtare”, theksoi Hykolli.
Rrjedhimisht, të hënën, më 3 tetor, pritet që mësimi në shkollat publike të Kosovës të fillojë me rregull.
Punonjësit e arsimit publik dhe administrate publike hynë në grevë nga 25 gushti me kërkesë për 100 euro shtesë mbi paga deri në miratimin e Ligjit të Pagave i cili ua rritë atyre pagat me koeficient.
Qeveria e Kosovës në fillim të shtatorit ndau nga 50 euro për të gjithë punonjësit e sektorit publik për t’u përballur me inflacionin por, as pas kësaj ndihme dhe pas dialogut midis grevistëve dhe Qeverisë nuk u arrit që greva të ndërpritej.