Agim Sulaj
05 Shkurt 2020•Përditësim: 05 Shkurt 2020
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës ka pranuar një telefonatë nga kryeparlamentari i Turqisë, Mustafa Şentop, i cili e ka uruar për postin e ri, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një komunikatë për media nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, bëhet e ditur se Şentop dhe Kurti kanë biseduar gjithashtu edhe për mundësitë për bashkëpunim midis Kosovës dhe Turqisë.
“Kryeministri Kurti dhe kryeparlamentari Şentop, biseduan për mundësitë e bashkëpunimit mes dy shteteve dhe parlamenteve tona, për takimet e radhës dhe për shkëmbimin e ideve e iniciativave që do të ndikojnë në përmirësimin e jetës institucionale dhe ndikimit përmbajtjesor të jetës së qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Kurti u zgjodh të hënën pasdite kryeministër i Republikës së Kosovës me 66 vota për, asnjë kundër dhe 10 abstenime nga gjithsej 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës. Pas tij, në një tjetër seancë të jashtëzakonshme, kryetare e re e Kuvendit është zgjedhur deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani.