Furkan Abdula
22 Nëntor 2023•Përditësim: 23 Nëntor 2023
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, ka uruar pjesëtarët e komunitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe në mbarë botën, transmeton Anadolu.
"Vegla më e fuqishme e një populli, alfabeti i unifikuar me të cilin shkruajmë, lexojmë dhe e përhapim gjuhën shqipe, kulturën shqipe, zakonet, veçoritë dhe traditat folklorike e filloi udhëtimin e vet prej para saktë 115 viteve në Kongresin e Manastirit, ku u tubua kreu intelektual i shqiptarëve dhe mori vendim për alfabetin, i cili u bë katalizator i ngritjes intelektuale, kulturore dhe artistike të popullit shqiptar, por mbi të gjitha, shenja jonë e identitetit", tha Xhaferi në urimin e tij.
Siç njofton kabineti i kryeparlamentarit, Xhaferi në mesazhin e urimit theksoi se ata si politikanë përgjegjës, kanë obligim "të ruajnë dhe të përsosin atë amanet në çdo hap, me çdo vepër dhe me çdo nismë" që e ndërmarrin, ndërsa gjeneratat e reja, sipas tij, duhet ta dinë vlerën e sakrificës që është bërë për të arritur për të qenë në rrafshin e popujve të etabluar botëror me identitet të fortë dhe të pa kontestuar.
"Gjuha është vegël e fuqishme e cila na bashkon ndër vete, a në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si vend në të cilin kultivohen dhe respektohen të gjitha dallimet, është vlerë e shtuar e cila bashkon edhe njerëz edhe ide, kontribuon në përparimin dhe zhvillimin e shtetit", theksoi ai.