Agim Sulaj
07 prill 2022•Përditësim: 08 prill 2022
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar kryesuesin e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq, në margjinat e Forumit Ekonomik Delphi në Greqi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyra e Kryeministrit të Kosovës (ZKM) njofton se në këtë takim të kryeministrit Kurtit me kryesuesin Xhaferoviq janë diskutuar raportet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë e forcimit dhe përparimit të bashkëpunimit, përkundër pengesave politike.
“Në takim u diskutua për situatën politike dhe të sigurisë së rajonit, pas invazionit dhe agresionit rus në Ukrainë, të cilën të dy e dënuan ashpër”, bëri të ditur ZKM.
Ndërkaq, bëhet e ditur se kryeministri Kurti ka thënë në këtë takim se “duhet të vazhdojmë të solidarizohemi dhe të mbështesim luftën nacionalçlirimtare të popullit ukrainas dhe të jemi syhapur karshi lidhjeve të gjera dhe të thella të Federatës Ruse dhe Serbisë”.
Bashkë me Kurtin, në këtë takim nga pala kosovare ka marrë pjesë edhe zëvendëskryeministrja njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla.
Forumi i parë Ekonomik Delphi u iniciua më 25 shkurt 2016, në Qendrën Kulturore Evropiane në Delphi. Që atëherë, forumi konsiderohet si një ngjarje politike, sociale dhe financiare me pjesëmarrës nga 32 vende të botës.