Abdula Berisha
28 Qershor 2019•Përditësim: 28 Qershor 2019
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, pas një debati që zgjati pothuajse 12 orë dhe i cili u shoqërua me disa pauza, ka zgjedhur ministrat e rinj të kabinetit qeveritar, raporton Anadolu Agency (AA).
Trajan Dimovski është emëruar ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave. Për emërimin e tij votuan 66 deputetë, ndërsa 26 ishin kundër.
Naser Nuredini është ministri i ri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësiror pasi mori besimin e 65 deputetëve, ndërsa 26 deputetë ishin kundër emërimit të tij dhe një deputet votoi i përmbajtur.
Ndërkaq, Sadulla Duraki u zgjodh për të udhëhequr Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive. Për të votuan 64 deputetë, ndërsa 28 ishin kundër.
Me 65 vota pro, 26 kundër dhe një të përmbajtur, Hysni Ismaili është emëruar ministër i Kulturës, kurse Goran Millevski është zgjedhur ministër për Vetëqeverisje Lokale, pasi për të votuan 65 deputetë, ndërsa 24 ishin kundër.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut numëron 120 deputetë, ndërsa për emërimin e ministrave të rinj nevojitet pëlqimi i të paktën 61 deputetëve.
Propozimi fillestar i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ishte që ai të udhëheqë njëkohësisht edhe Ministrinë e Financave, por pas kundërshtimit nga opozita e kryesuar nga VMRO-DPMNE dhe mendimit negativ nga Komisioni për Luftimin e Korrupsionit, kryeministri tërhoqi propozimin në fjalë.
Megjithatë, ai do të udhëheqë këtë ministri deri në zgjedhjen e ministrit të ri. Zaev tha se ambicia e tij për të udhëhequr Ministrinë e Financave deri në zgjedhjen e ministrit të ri ka të bëjë me ndërmarrjen e përgjegjësisë "përmes miratimit të vendimeve serioze dhe të mëdha".
Pasi përfundoi procesi i votimit, ministrat e rinj dhanë berimin solemn në Kuvend. Gjatë debatit për emërim të ministrave të rinj, ngjashëm si edhe në debatin e zhvilluar një ditë më parë për shkarkimin e ish-ministrave, opozita akuzoi se nuk janë bërë ndryshimet e duhura në ekzekutiv.
Sipas partive opozitare, zgjedhja më e mirë është që e tërë Qeveria të japë dorëheqje dhe të caktohen zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Megjithatë, kryeministri Zoran Zaev tha se rikonstruimi i Qeverisë do t'u shërbejë interesave të qytetarëve dhe interesave të shtetit.
Ky rikonstruim në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut u paralajmërua nga kryeministri Zaev gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale, të mbajtura më 21 prill dhe 5 maj të këtij viti. Pas zgjedhjeve, Zaev tha se kanë pranuar porosinë e qytetarëve dhe se janë të nevojshme ndryshime në politikat kadrovike të Qeverisë.