Ekip
19 Tetor 2020•Përditësim: 20 Tetor 2020
Maqedonia e Veriut gjatë 24 orëve të fundit ka regjistruar 161 raste të tjera të koronavirusit të ri (COVID-19) dhe 12 viktima, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, që nga shpërthimi i pandemisë vendi ka raportuar gjithsej 23.788, përfshirë 846 viktima dhe 17.392 të shëruar, ndërkohë që numri aktiv i rasteve me COVID-19 është 5.550.
Me 771 teste të kryera gjatë ditës së fundit për të dyshuar me COVID-19, numri i përgjithshëm i testeve që nga rasti i parë i zbuluar nga mesi i muajit mars ka shkuar në 221.782.
Gjatë javës së fundit, numri i rasteve të reja me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut është rritur ndjeshëm, duke shënuar edhe numër rekord të të diagnostikuarve të ri me afër 500 raste të regjistruara brenda 24 orëve.
Sot në një konferencë për media, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, njoftoi se kapaciteti i spitaleve në vend po mbushet me shpejtësi dhe se tashmë janë mbushur repartet infektive në qytetet Kumanovë, Strumicë, Shtip dhe Prilep.
Ai paralajmëroi se nëse vazhdon intensiteti i rritjes së të diagnostikuarve të ri, autoritetet do të imponojnë masa kufizuese shtesë, përfshirë edhe kufizimin e plotë të lëvizjes së qytetarëve.
Gjatë ditëve të ardhshme pritet që parlamenti i vendit të miratojë masën për mbajtje të detyrueshme të maskës në hapësira publike, ndalimin e funksionimit të operatorëve ekonomikë pas orës 23:00, ndalimin e grupimit në hapësira publike pas orës 22, ndalimin e grupimeve familjare nëpër prona private, kufizimin e kapaciteteve në transportin publik deri në 50 për qind.
Gjithashtu parashikohen ndryshime në Ligjin për Mbrojtje nga Sëmundjet Infektive që masat e ardhshme kufizuese lidhur me pandeminë të pranohen me vendim të qeverisë pa nevojën për miratim nga parlamenti.