Admir Fazlagikj
11 qershor 2020•Përditësim: 12 qershor 2020
Në orët e para të mëngjesit, një lokomotivë goditi një migrant në aksin hekurudhor Veles-Gradsko, i cili humbi jetën gjatë rrugës për në spital, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Maqedonisë së Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Në aksin hekurudhor Veles-Gradsko, pranë fshatit Zgropolci, një lokomotivë goditi një person, një migrant, i cili pësoi lëndime të rënda trupore. Ai u transportua në Spitalin e Përgjithshëm të Velesit, por iu nënshtrua plagëve gjatë rrugës", thuhet në kumtesën e MPB-së.
Nga ministria informojnë se është kryer hetim në vendin e ngjarjes dhe se transporti hekurudhor ka qenë i ndërprerë deri në ora 06:35 për shkak të hetimit.
Kujtojmë se në kohën e krizës së refugjatëve në vitet 2015-2016, Maqedonia e Veriut ishte pjesë e të ashtuquajturës "Rruga Ballkanike" përmes së cilës kaluan refugjatë dhe migrantë që vinin nga vendet e Lindjes së Mesme. Nga marsi i vitit 2016, kjo rrugë është mbyllur zyrtarisht.
Sipas Iniciativës Rajonale për Azil, Refugjatë dhe Migrantë (MARRI), mbi 1,1 milion njerëz kaluan përmes "Rrugës Ballkanike" në vitet 2015-2016.