Abdula Berisha
28 nëntor 2023•Përditësim: 29 nëntor 2023
Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, në Shkup u mbajt akademi solemne nën përkujdesjen e Ali Ahmetit, kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), raporton Anadolu.
Në këtë eveniment të pranishëm ishin zyrtarë të pushtetit qendror dhe lokal, deputetë, përfaqësues akademikë dhe fetarë, si dhe qytetarë të shumtë.
I pranishëm ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka, i cili në fjalimin e tij përshëndeti arritjet politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, si dhe arritjet në sferat tjera. Ai gjithashtu përshëndeti marrëdhëniet e mira midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se ato konsolidohen vazhdimisht.
"Në konteksin e momentit ku po jetojmë, imperative është që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të përmbushin të gjitha detyrimet e kërkuara nga Bashkimi Evropian për t'u bërë sa më shpejt pjesë e kësaj familjeje", tha ambasadori Reka.
Para të pranishëmve fjalim kishte edhe zv/kryeministri i pari i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, i cili uroi shqiptarët për festën kombëtare, duke kujtuar sakrificat e bëra gjatë historisë.
Ai u shpreh se shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë më mirë se sa që janë tani, por theksoi se "historia gjithashtu na mëson se mirësitë dhe rethanat shemben brenda çastit".
"Kombi, të dashur motra e vëllezër, nderohet me punë. Ne që jemi këtu, e kemi për borxh që të vazhdojmë ta bëjmë kombin, secili prej nesh, nga një gurë në kalanë tonë. Që nga ndërtimi i autostradave dhe hekurudhave me Shqipërinë e Kosovën, largimin e kufijve midis nesh, e deri tek bashkimi në Evropë. Secili le ta bëjë punën e vet me përkushtim", tha Grubi.
Fjalim kishte edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili përkujtoi sakrificat e popullit shqiptar gjatë historisë. Ai foli edhe mbi persekutimin e shqiptarëve që jetonin në ish-Jugosllavi, duke theksuar se tanimë Kosova është shtet i pavarur ndërsa shqiptarët janë shtetformues në Maqedoninë e Veriut.
"Shqiponja di të fluturojë lart. Shqiponjës nuk i lodhen krahët, prandaj kjo shqiponjë, siç na prini në luftë, do të na prijë edhe në paqe drejt Brukselit", tha Ahmeti.