Besar Ademi
30 Prill 2017•Përditësim: 01 Maj 2017
SHKUP (AA) – Zv/ndihmës sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Hoyt Brian Yee, në ditën e parë të vizitës së tij në Maqedoni zhvilloi takime me liderët e partive politike shqiptare në Parlament, ndërsa gjatë ditës së nesërme pritet të takohet me presidentin Gjorge Ivanov, liderët e partive politike maqedonase, si dhe me kryetarin e sapozgjedhur të Kuvendit, Talat Xhaferi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Hoyt Yee takimet i filloi pasditen e sotme me udhëheqësinë e Lëvizjes BESA dhe të Aleancës për Shqiptarët, ndërsa më vonë edhe me ata të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI). Siç u paralajmërua më herët, në takime diskutohet për statusin e formimit të qeverisë, marrëdhënie bilaterale dhe reformat e nevojshme për integrimin euro-atlantik.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, pas takimit deklaroi se vizita e Hoyt Brian Yee është një përkrahje morale që i bëhet Maqedonisë. Ai theksoi se duhet pranuar zgjedhja e kryetarit të ri të Kuvendit, Talat Xhaferi, si dhe të mbështetet nga ato forca që kontestojnë këtë zgjedhje.
“Zv/sekretari ishte shumë i qartë se Maqedonisë në këto situata i duhet stabiliteti, që proceset të zhvillohet në rrugë të mbarë dhe që institucionet të funksionojnë. Sigurisht që kthim pas nuk ka. Të gjitha këto zhvillime, nëse ne nuk ndërgjegjësohemi dhe vetëdisohemi, do të pësojnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë”, deklaroi Ahmeti.
Në pyetjen në lidhje me komunikimin e tyre me VMRO-DPMNE, Ahmeti tha se duhet të komunikohet me ta, pasi që janë forca politike të një vendi. Sipas tij, ata bashkërisht duhet të fusin vendin në rrugë të mbarë.
Ndërsa i pyetur se nëse ish-kryeparlamentari Trajko Veljasnoski do të thirrë seancë, a do të marrin pjesë deputetët e BDI-së, Ali Ahemti tha se: “Zoti Veljanoski nuk as të drejtë morale dhe as ligjore për të thirrur seancë, sepse nuk ka shumicë parlamentare."
Siç u bë e ditur, Hoyt Yee takimet me presidentin e vendit, kryeparlamentarin e sapozgjedhur dhe liderët e partive maqedonase do t’i realizojë gjatë ditës së nesërme. Ndërkaq, pas përfundimit të takimeve parashikohet që pasditen e nesërme të japë deklaratë për media dhe të shpalos qëndrimin përfundimtar të SHBA-ve për ngjarjet e fundit në Maqedoni.
Kujtojmë se mbrëmjen e 27 prillit, pas zgjedhjes së Talat Xhaferit në një situatë kaotike për kryetar të Kuvendit, protestuesit mbështetës të VMRO-DPMNE-së që ishin tubuar para ndërtesës së Kuvendit u futën me dhunë brenda ndërtesës. Si pasojë e dhunës së protestuesve që kishin cak deputetët, mbetën të plagosur rreth 100 persona, duke përfshirë deputetë, punonjës të policisë dhe përfaqësues të medias.