Furkan Abdula
08 tetor 2021•Përditësim: 09 tetor 2021
Në Maqedoninë e Veriut kanë mbërritur 149 shtetas tjerë afganë, të cilët do të vendosen përkohësisht në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të qeverisë thuhet se Maqedonia e Veriut mbetet e angazhuar në kuadër të aksionit humanitar ndërkombëtar për të ndihmuar shtetasit afganë që kanë punuar për të përmirësuar të drejtat e njeriut, demokracinë dhe paqen në të kaluarën.
"Një grup i ri prej 149 shtetasve afganë mbërritën në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit vonë natën e kaluar", thuhet në deklaratë.
Më tej theksohet se afganët do të vendosen përkohësisht në Shkup derisa të sigurohet transferimi në destinacionin e tyre përfundimtar, ndërsa bëhet e ditur se shpenzimet mbulohen plotësisht nga organizatat ndërkombëtare.
"Pas aterimit natën vonë, u kryen procedurat standarde, kontrollet e sigurisë dhe mbrojtjes, mbështetjes mjekësore, test PCR dhe mundësia e vaksinimit. Kryqi i Kuq shpërndau rroba dhe pajisje higjienike ndërsa përveç kësaj për njerëzit që mbërritën më parë në Maqedoninë e Veriut, Kryqi i Kuq shpërndau mjete higjienike shtesë, rroba dimërore dhe këpucë", thuhet në deklaratë.
Deri më tani gjithsej 450 shtetas afganë kanë mbërritur në vend për të cilët institucionet po bëjnë gjithçka që të ndihen të sigurt, duke u siguruar atyre të gjithë mbështetjen dhe ndihmën e nevojshme gjatë qëndrimit të përkohshëm në Maqedoninë e Veriut.