Husamedin Gina
22 Prill 2020•Përditësim: 23 Prill 2020
Kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, tha se qeveria ka vendosur që prej nesër, 23 prill, mbajtja e maska mbrojtëse kundër koronavirusit të ri (COVID-19) të jetë e detyrueshme në gjithë vendin, dhe se është marrë vendim për të zvogëluar kufizimet e lëvizjes, raporton Anadolu Agency (AA).
Spasovski dhe Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, mbajtën një konferencë për media përmes komunikimit me videokonferencë.
Duke theksuar se masat e paraqitura nga qeveria kundër koronavirusit kanë dhënë rezultate, kryeministri Spasovski tha se shifrat tregojnë se strategjia është e mirë dhe se kjo shihet nga fakti se ka më pak qytetarë të infektuar nga kategoritë më të moshuara.
Spasovski theksoi se nga nesër, të gjithë qytetarët, gjatë shkuarjes në treg, banka dhe në hapësira të hapura ku distanca fizike prej dy metrash nuk mund të mbahet, do të duhet të mbajnë maska mbrojtëse.
"Sa herë që dalim, duhet të zbatojmë rreptësisht masat e mbrojtjes personale. Të mbajmë mbrojtje për fytyrën, gjegjësisht hundën dhe gojën, maskë, shami apo shall, të mbajmë distancë fizike prej 2 metrash dhe të mos grupohemi, sepse kjo është mënyra e vetme për të mbrojtur shëndetin tonë dhe publik”, tha Spasovski.
Duke theksuar se një përqindje e konsiderueshme e pacientëve janë asimptomatikë, Spasovski tha se mbulimi i hundës dhe gojës do të pengojë transmetimin e virusit.
Sipas tij, mbajtja e maskës nuk është e nevojshme në oborr, në tarracë, gjatë ngasjes së biçikletës, bërjes sport ose gjatë vozitjes së automjeteve me shoqërues që jeton në të njëjtën familje ose bashkësi.
Në konferencën për media, Spasovski gjithashtu përmendi zbutjen e kufizimeve për lëvizjen e qytetarëve, të cilën qeveria e njoftoi më herët përmes një deklarate.
Sipas masave të reja, gjatë ditëve të punës, qytetarët do të lejohen të lëvizin nga ora 5:00 e mëngjesit deri në ora 19:00, prej kur fillon ora policore.
Ndërkaq, ndalesa e lëvizjes gjatë fundjavave do të fillojë në ora 15:00 të shtunën dhe do të zgjasë deri të hënën në ora 05:00.
Personat mbi moshën 67 vjeç do të lejohen të lëvizin çdo ditë pune nga ora 5:00 e mëngjesit deri në 12:00 të mesditës, tha qeveria në deklaratë, duke shtuar se të rinjtë nën moshën 18 vjeç do të jenë në gjendje të dalin nga e hëna deri të premten, nga ora 13:00 deri në 19:00.
Të shtunën, personat mbi moshën 67 vjeç do të lejohen të lëvizin nga ora 5:00 e mëngjesit në ora 11:00 paradite, kurse personat nën moshën 18 vjeç do të mund të dalin nga ora 12:00 deri në ora 15:00.
Nga ana tjetër, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se numri i pacientëve të shëruar po rritet dhe se kjo inkurajon dhe është një motiv shtesë për mjekët në spitale dhe mjekët familjarë.
"Gjithsej 272 persona janë shëruar deri më tani dhe prej tyre, 48 janë raste të reja, prej të cilëve gjashtë janë trajtuar në spital dhe 42 në shtëpi", tha Filipçe.
Duke iu referuar zbutjes së masave kufizuese, ai tha se është shumë e rëndësishme të mbulohen rrugët e frymëmarrjes për të ruajtur një trend të qëndrueshëm dhe një rritje lineare të pacientëve.