Dzihat Aliju
14 Shkurt 2019•Përditësim: 15 Shkurt 2019
SHKUP (AA) – Ambasada e Republikës së Turqisë në Shkup, ka shprehur ngushëllime për shkak të viktimave në aksidentin e trafikut në të cilin një autobus me pasagjerë u përmbys në autostradën Shkup-Tetovë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën e publikuar nga ambasada në rrjetet sociale thuhet se ambasadorja Tülin Erkal Kara, menjëherë pas aksidentit së bashku me një delegacion ka arritur në spitalin "8 Shtatori".
Në deklaratë bëhet e ditur se ambasadorja turke është takuar me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Brendshëm, Oliver Spasovski, zëvendëskryeministrin Bujar Osmani, ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe, ku ka shprehur gatishmërinë e Republikës së Turqisë për ofrimin e çdo lloj ndihme, duke përfshirë këtu edhe aeroplan-ambulancë.
"Ndihma dhe mbështetja e ofruar nga ambasadorja është pritur me falënderime", thuhet nga ambasada.
"Në emër të Ambasadës së Republikës së Turqisë në Shkup edhe një herë ngushëllime për familjarët e personave që humbën jetën në aksidentit e tmerrshëm dhe shërim sa më të shpejtë të personave të lënduar", shtohet më tej.
Kujtojmë se mbrëmë një autobus me pasagjerë u përmbys në autostradën Shkup-Tetovë, ku si pasojë 14 persona humbën jetën, ndërsa mbi 30 u lënduan.