Furkan Abdula
22 Mars 2020•Përditësim: 22 Mars 2020
Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe ka njoftuar se 29 raste të reja të koronavirusit janë regjistruar në vend, duke e çuar në 114 numrin e pacientëve të diagnostikuar me Covid-19, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 29 raste të reja të koronavirusit në vend. Kjo e çon në 114 numrin e pacientëve të diagnostikuar me Covid-19 deri në orën 12:00 sot", tha ministri Filipçe në profilin e tij zyrtar në median sociale.
Sipas vendbanimit të përhershëm, raste të koronavirusit janë regjistruar në qytetet Shkup, Dibër, Shtip, Kavadar, Ohër, Gostivar dhe Kumanovë.
"Aktualisht 24 pacientë janë shtruar në Klinikën për sëmundje Infektive dhe gjendje febrile. 7 pacientë janë vazhdimisht në trajtim të oksigjenit ndërsa 11 janë në gjendje të mirë shëndetësore. Nesër, pas 14 ditësh nga diagnostikimi, 6 pacientë do të kontrollohen sërish. Prej tyre, 5 janë në gjendje të mirë ndërsa tek pacientja e cila kishte përkeqësim të gjendjes nuk ka ndryshim të gjendjes dhe ende është në aparatin e frymëmarrjes. Pacientët që janë në shërim shtëpiak janë në kontakt të vazhdueshëm me mjekët", tha ministri Filipçe.
Që nga shpërthimi në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar, sëmundja, e njohur si Covid-19, ka shkaktuar mijëra të vdekur në mbarë globin. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur sëmundjen pandemi globale.