Abdula Berisha
26 Mars 2020•Përditësim: 26 Mars 2020
Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut, njoftoi se në vend janë regjistruar 24 raste të reja me koronavirusin e ri (COVID-19), me çka numri i të prekurve ka arritur në 201, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin e publikuar nga Ministria thuhet se rastet e reja janë regjistruar në Shkup (15), në Kumanovë (4), në Dibër (2), në Ohër (1), në Shtip (1) dhe në Tetovë (1).
Përpos këtyre qyteteve, më herët raste janë raportuar edhe nga qytetet e Velesit, Kavadarit, Prilepit dhe Gostivarit.
Në kumtesën e Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se nga Klinika e Sëmundjeve Infektive dhe Gjendjeve Febrile në Shkup janë lëshuar edhe 2 pacientë të cilët patën rezultate negative në dy testet kontrolluese.
"Pacientët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë lëshuar për trajtim shtëpiak. Deri më tani ka 3 pacientë të shëruar dhe 3 raste të vdekjeve në vend", thuhet në kumtesë.
Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar disa masa për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, duke përfshirë edhe orë policore në të gjithë territorin e vendit nga ora 21:00 deri në ora 05:00. Sipas masave të fundit, ora policore gjatë ditëve të fundjavës do të jetë nga ora 16:00 deri në ora 05:00.
Më 18 mars, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, shpalli gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin, me qëllim lehtësimin e luftës kundër përhapjes së koronavirusit.