Furkan Abdula
24 Shtator 2021•Përditësim: 24 Shtator 2021
Maqedonia e Veriut dhe Filipinet kanë vendosur marrëdhënie diplomatike, transmeton Anadolu Agency (AA).
Informacioni u konfirmua nga ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, përmes një postimi në rrjetet sociale.
"Në New York së bashku me homologun tim filipinas, Theodore L. Loksin, nënshkruam komunikatën e përbashkët për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Maqedonisë së Veriut dhe Filipineve, e cila hapi një kapitull të ri në marrëdhëniet midis dy vendeve", shkroi Osmani.
Ai theksoi se ky hap riafirmon angazhimin e tyre për ndërtimin e marrëdhënieve miqësore dhe partneriteteve me vendet gjeografikisht të largëta dhe hap derën për bashkëpunim të frytshëm dhe përparim reciprok.
"Akti i zyrtarizmit të miqësisë midis dy vendeve ofron mundësi për të promovuar lidhjet ekonomike dhe tregtare si dhe forcimin e bashkëpunimit të suksesshëm deri më tani në nivelin shumëpalësh", tha ai.
Osmani theksoi se Filipinet janë vendi i 181-të me të cilin Maqedonia e Veriut ka vendosur marrëdhënie diplomatike.