Husamedin Gina
29 nëntor 2019•Përditësim: 02 dhjetor 2019
Ekipe të Institutit për Inxhinieri Tërmetesh dhe Inxhinieri Sizmologjike (IITIS) të Maqedonisë së Veriut, javën e ardhshme në koordinim me qeverinë do të shkojnë në Shqipëri ku do të marrin pjesë në të ashtuquajturën vlerësimin e shpejtë të sigurisë së objekteve, raporton Anadolu Agency (AA).
Drejtori i IITIS-së, Vllatko Sheshov në konferecën për media paralajmëroi se ekipe të IITIS-së javën e ardhshme do të shkojnë në vendin fqinj.
“Me siguri gjatë javës së ardhshme IITIS në koordinim me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ambasadën e vendit tonë në Shqipëri do të dërgojë ekipe të saj, të cilat do të ndihmojnë në inspektimin e objekteve, para së gjithash të shënohen ato objekte që janë të rrezikshme për banim më tutje”, theksoi Sheshov.
Sheshov, duke u përqendruar në ndërtimet në Maqedoninë e Veriut tha se objektet e reja, për të cilat është kompetent IITIS përmbushin dispozitat teknike dhe standardet.
“Qëndroj fuqishëm para të gjithëve se në shtetin tonë kemi ndërtimin më cilësor nga rrethimi. Ajo që ndodhi në Shqipëri nuk është e mundur të ndodh në ndërtimet e reja tek ne, sepse kemi ndërtime shumë më cilësore se Bullgaria, Shqipëria, Greqia. Kjo është e sigurtë”, tha kryetari i Odës së Ndërtimeve, Ivica Jakimovski.
Ai, duke shtuar se të gjitha objektet janë sipas standardeve të përcaktuara për konstruksione të betonit të armuar, theksoi se mund të përballojnë tërmet me intensitet prej 9 ballë ose magnitudë prej 6.5 deri në 7 ballë sipas Rihterit.
Jakimovski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për ndërtimet e legalizuara, tha se askush nuk mund të garantojë për cilësinë e ndërtimeve që legalizohen sepse procedura gjatë legalizimit nuk është e njëjtë me atë gjatë ndërtimit legal.