Abdula Berisha
02 Gusht 2019•Përditësim: 03 Gusht 2019
Maqedonia e Veriut ka shënuar sot festën e Ilindenit - Ditës së Republikës, ndërsa tradicionalisht manifestimi qendror është mbajtur në Krushevë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç bëhet e ditur nga kumtesa e Qeverisë, këtë vit manifestimet janë organizuar nën moton "Të gjithë jemi fëmijë të Ilindenit".
Zyrtarët e lartë shtetërorë vendosën lule para varrit të Nikolla Karevit, kryetarit të parë të Republikës së Krueshevës. Delegacionin qeveritar e kryesoi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ndërsa pjesë e delegacionit ishin edhe zv/kryeministri dhe ministri i Brendshëm Oliver Spasovski, ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, ministri i Transportit dhe Lidhjeve Goran Sugareski, ministri i Mjedisit Jetësor Naser Nuredini, ministrja e angazhuar për Investime të Huaja, Zorica Apostollska dhe zv/ministri i Kulturës, Vlladimir Llazovski.
Përpos delegacionit qeveritar, në Krushevë i pranishëm ishte edhe kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, si dhe një delegacion nga Presidenca e shtetit.
Në kuadër të festimeve, një delegacion tjetër qeveritar i përbërë nga ministri i Arsimit, Arbër Ademi dhe zv/ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Dejan Pavlevski, në Shkup kanë vendosur lule para përmendores së Metodija Andonov Çento, kryetarit të parë të presidiumit të KAÇKM-së dhe përmendores së Nikolla Karevit, kryetarit të parë të Republikës së Krushevës.
Në kumtesën e Qeverisë, bëhet e ditur se në festimet në qendrën memoriale të KAÇKM-së në Pelince, ka marrë pjesë delegacion qeveritar i përbërë nga ministri i Shoqërisë Informatike, Damjan Mançevski dhe zv/ministri i Bujqësisë, Bllage Petroviç.