Zülfiya Yakup
02 Gusht 2019•Përditësim: 02 Gusht 2019
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nëpërmjet një shkrese zyrtare ka kërkuar nga bartësi i koalicionit fitues të zgjedhjeve të fundit, Kadri Veseli që të propozojë kandidatin e ri për mandatar për formimin e Qeverisë së Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kërkesa e Thaçit vjen dy javë pasi Ramush Haradinaj dha dorëheqje si kryeministër i Kosovës, për shkak të ftesës për intervistim si i dyshuar nga Dhomat e Specializuara të Hagës.
Në shkresën zyrtare të presidentit Thaçi, dërguar Veselit, qëndron se PAN-i si koalicion fitues i cili ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvendin e Kosovës, ka të drejtë të propozojë kandidatin e ri për kryeministër.
Koalicioni i PAN-it përbëhet nga Partia Demokratike e Kosovës e Kadri Veselit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt dhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt.
Pas dorëheqjes, Haradinaj kërkoi zgjedhje të parakohshme. Deri më tani, të gjitha partitë politike janë deklaruar se mbështesin zgjedhjet e parakohshme pas dorëheqjes së Haradinajt nga posti i kryeministrit.