Abdula Berisha
09 Mars 2021•Përditësim: 10 Mars 2021
Në seancën e sotme të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, u mor vendim për të ndaluar lëvizjen e popullsisë dhe automjeteve të transportit publik në territorin e gjithë vendit, në periudhën kohore nga ora 22:00 deri në ora 05:00 të ditës tjetër, duke filluar nga nesër, transmeton Anadolu Agency (AA).
Lajmin e bëri të ditur kryeministri Zoran Zaev përmes një postimi në rrjetet sociale, duke shtuar se vendimi do të mbetet në fuqi për dy javë, respektivisht deri më 22 mars.
Zaev është shprehur se vendimi për ndalimin e lëvizjes nuk zbatohet për udhëtarët që mbërrijnë ose largohen nga aeroportet ndërkombëtare, të cilëve biletat e fluturimeve do t'u njihen si leje për qarkullim gjatë orës policore, ndërsa përjashtimi i njëjtë vlen edhe për udhëtarët e transportit ndërkombëtar.
Gjithashtu, në postimin e Zaevit thuhet se do të pranohen lejet për qarkullim të miratuara më herët kur kishte orë policore.
"Personat që gjatë orës policore kanë nevojë për intervenim urgjent shëndetësor, do të duhet të lajmërojnë Ministrinë e Punëve të Brendshme", qëndron në postimin e Zaevit.
Gjithashtu, Qeveria vendosi që personat që vijnë nga Afrika, duhet të qëndrojnë në karantinë shtëpiake 14-ditore.
Maqedonia e Veriut për herë të parë vendosi të ketë orë policore më 21 mars të vitit të kaluar, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19).
Sipas të dhënave të djeshme të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me COVID-19 në vend është 107.479, ndërsa numri i viktimave 3.206.