Fatjon Cuka
10 Prill 2019•Përditësim: 10 Prill 2019
Presidenti i Shqipërisë llir Meta dhe kryeministri Edi Rama kanë reaguar për grabitjen e kryer dje në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, transmeton Anadolu Agency (AA).
Meta, në një deklaratë për mediat e ka konsideruar ngjarjen e djeshme si cenim serioz të sigurisë kombëtare, rendit publik dhe imazhit të vendit.
"Si vend anëtar i NATO-s, kemi detyrimin të garantojmë standardet më të larta të sigurisë, veçanërisht atë të infrastrukturës strategjike portuale dhe aeroportuale. Prokuroria të hetojë jo vetëm grabitjen e djeshme, por edhe për mosmarrjen e masave në përmbushjen e detyrimit ligjor dhe rekomandimeve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë të çdo institucioni dhe individi që nuk ka kryer detyrën”, ka theksuar Meta.
Ndërkaq, kryeministri Rama në rrjetet sociale ka shkruar se “Kompania kineze që bleu aeroportin nga e mëparshmja, dështoi po njësoj si në garantimin e sigurisë. Shteti shqiptar s'do të pranojë asnjë justifikim nga kompania dhe do të marrë kontrollin e perimetrit të jashtëm e të sigurisë së brendshme”.
Lidhur me ngjarjen, ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, në një deklaratë për mediat tha se ka urdhëruar që në perimetrin e sigurisë së Aeroportit “Nënë Tereza” të vendosen efektivë të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Për ngjarjen ka reaguar edhe Tirana International Airport (TIA), ku në një deklaratë zyrtare thekson se “TIA ka qenë korrekte në përmbushjen e detyrave të saj në lidhje me ngjarjen sipas të gjitha rregullave dhe procedurave”.
Kujtojmë se një person mbeti i vdekur pas grabitjes së ndodhur dje në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë, disa persona me maska dhe armë pasi kanë thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, kanë grabitur një sasi parash në pistën e avionëve.
Gjatë ndjekjes autorët e grabitjes kanë shkëmbyer zjarr me policinë, ndërsa gjatë këtij shkëmbimi ka humbur jetën njëri prej autorëve të grabitjes.