Husamedin Gina
05 Mars 2019•Përditësim: 06 Mars 2019
Dhënia e tokës shtetërore me qira që është mbi tre hektarë, që bëhet për herë të parë, është tregues i përkushtimit të shtetit tonë për të krijuar politika të cilat do të kontribuojnë për një bujqësi bashkëkohore dhe evropiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut, deklaroi kryeministri Zoran Zaev në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave me kompanitë bujqësore, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri Zaev, zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujrave, Lupço Nikollovski, sot u adresuan në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave për dhënien me qira të tokës bujqësore shtetërore që është mbi tre hektarë.
"Nënshkrimi i sotëm i kontratave të para për dhënien e tokës shtetërore me qira, e cila tejkalon tre hektarë paraqet një tjetër tregues për angazhimin tonë të vendosur, që të krijojmë politika të cilat do të shndërrojnë bujqësinë në moderne dhe evropiane. Për herë të parë shteti ndan me qira tokë bujqësore nga e cila fermerët dhe agrobizneset do të kenë mundësi që përveç prodhimit primar, të përgatisin një plan biznesi për kapacitetet përpunuese”, tha Zaev për të shtuar se shuma për 20 kontratat është 11 milionë euro.
Ai tha se këto investime do të hapin vende të reja të punës.
Ministri Nikollovski, në fjalimin e tij tha se një nga politikat primare të dikasterit të cilin e drejton është politika agrare.
"Me një fjalë, dërgojmë porosinë se viti 2019 përveç që është një vit i ekonomisë, jam i sigurt se do të jetë edhe një vit i bujqësisë, sidomos në aspektin e zhvillimit të industrisë përpunuese, lidhja e zinxhirit mes prodhuesve dhe përpunuesve, si dhe finalizimi i produkteve duke zgjidhur problemet, por edhe forcimi i rritjes ekonomike", tha Nikollovski.
Me kontratat në fjalë, hapen mundësi për ndërtim të objekteve të përpunimit bazë të produkteve bujqësore siç janë therrtoret, qendrat për përpunimin e frutave dhe perimeve, qendrat për blerje dhe qendrat tjera nga fusha e bujqësisë.