Ekip
16 Gusht 2021•Përditësim: 17 Gusht 2021
Sipas sondazhit të Institutit Demokratik Kombëtar (NDI) të kryer në mars dhe prill të këtij viti, qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut kanë mendim më të mirë për Turqinë në krahasim me vendet e tjera, ndërsa mendimi pozitiv i Turqisë në mesin e qytetarëve është rritur në krahasim me vitin 2018, raporton Anadolu Agency (AA).
Hulumtimi tregon se mendimi pozitiv për Turqinë nga qytetarët e anketuar të Maqedonisë së Veriut është rritur në krahasim me vitin 2018 me 10 për qind, pra nga 42 për qind në 52 për qind.
Gjithashtu, mendimi pozitiv është rritur për Rusinë, ndërsa për SHBA-në dhe Kinën është ulur në krahasim me vitin 2018.
Zvogëlohet mbështetja për BE-në
Mbështetja për Bashkimin Evropian (BE) në Maqedoninë e Veriut ka shënuar rënie. Edhe pse 67 për qind e të anketuarve do të votonin për anëtarësimin në BE, perceptimet për BE-në janë përkeqësuar dhe 19 për qind janë kundër anëtarësimit në BE, një përqindje që në vitin 2018 ishte 10 për qind.
Mbështetja për NATO-n mbetet e lartë në 63 për qind (64 për qind në vitin 2018), ndërsa kundërshtimi ndaj aleancës ushtarake është rritur me 9 për qind në krahasim me 2018 dhe tani qëndron në 24 për qind.
Sondazhi është porositur nga NDI dhe është kryer nga IPSOS, në një mostër përfaqësuese prej 2410 të anketuarve, me anketa telefonike dhe online.