Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka konfirmuar zyrtarisht se një e moshuar ka humbur jetën në Shqipëri e cila ishte e konfirmuar si paciente e prekur me koronavirusin e ri (COVID-19), duke shënuar viktimën e parë në vend nga COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Mira Rakacolli, në një konferencë për mediat tha se COVID-19 është një virus që ashtu si gripi prek kryesisht moshat e mëdha dhe sidomos sipas saj ato mosha që vuajnë nga sëmundje të tjera kronike.
"Shpreh ngushëllimet për familjen e së ndjerës, 73-vjeçares që humbi jetën si rezultat i sëmundjes COVID-19. Pacientja që ndodhej e izoluar në gjendje të rënduar në spitalin e Durrësit nuk mundi të mbijetojë si pasojë e komplikacioneve prej sëmundjeve prej të cilave vuante prej vitesh. Pavarësisht nga përpjekjet maksimale që janë bërë nga ana e mjekëve të spitalit të Durrësit për ta mbajtur në jetë pacientja nuk mundi që të mbijetojë. Deri në mëngjesin e sotëm ajo është trajtuar në mënyrë të izoluar në njësinë e kujdesit intensiv në Spitalin Rajonal të Durrësit”, tha Rakacolli.
Rakacolli iu ka bërë thirrje qytetarëve që të tregohen bashkëpunues me autoritetet dhe me stafet mjekësore.
Më herët gjatë ditës së sotme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me konfirmimin e dy rasteve të reja me koronavirus (COVID-19), deklaroi se numri i të prekurve në Shqipëri ishte rritur në 12.
Masat kundër përhapjes së koronavirusit në Shqipëri
Institucionet në Shqipëri vazhdojnë të marrin masa shtesë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri COVID-19, përfshirë mbylljen e ambienteve si lokale nate, disko, qendra sportive, pishina, qendra kulturore, qendra sociale dhe pezullimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore.
Masat e fundit që lajmëroi në rrjetet sociale kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të përfshijnë mbylljen e restoranteve, bareve dhe klubeve në Tiranë dhe Durrës.
"Duke parë shkallën e ulët të vetëdijes së shumë qytetarëve, kryesisht të rinj, që e kanë edhe më të vështirë të rrinë në një vend, do të detyrohemi të mbyllim të gjitha restorantet, baret dhe klubet në Tiranë dhe Durrës fillimisht", ka njoftuar Rama.
Në gjithë vendin në institucionet arsimore publike dhe jopublike, është vendosur ndërprerja e procesit mësimor deri më 23 mars.
Ndërkohë, sot Kuvendi i Shqipërisë në një njoftim zyrtar konfirmoi se seanca plenare e parashikuar për t'u zhvilluar më 12 mars do të shtyhet deri në njoftim të dytë, "për shkak të situatës së krijuar dhe në kuadër të masave mbrojtëse ndaj koronavirusit (COVID -19)".
Gjithashtu është vendosur pezullimi i të gjitha fluturimeve dhe linjave të transportit detar, nga Shqipëria në Itali dhe anasjelltas. Ky vendim, sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, prek vetëm transportin e pasagjerëve, pasi do të vijojnë normalisht lundrimet e anijeve tregtare dhe fluturimet e avionëve të mallrave.
Në kudër të masave, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka konfirmuar se aktiviteti futbollistik në Shqipëri do të vijojë, por ndeshjet do të zhvillohen me dyer të mbyllura.
Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka vendosur deri më 23 mars 2020 ditë pushimi për njërin nga prindërit kujdestarë të fëmijëve, që janë nëpunës civilë dhe punonjës të tjerë të administratës publike, të nivelit qendror e vendor, si dhe në institucionet e tjera shtetërore. Ndërkaq, nuk do të ofrohen më shërbime nëpër sportelet e institucioneve për të gjitha aplikimet që ofrohen edhe online.
Nga ana tjetër, Komuniteti Musliman i Shqipërisë (KMSH) ka kërkuar nga myftinitë e qyteteve marrjen e disa masave, përfshirë fushata sensibilizuese për publikun dhe inkurajimin e të gjithë besimtarëve, kryesisht moshën e tretë dhe personat me sëmundje kronike që t’i kryejnë ritualet fetare në banesat e tyre.
KMSH ka kërkuar gjithashtu anulimin e tubimeve masive si ligjërata, kurse në xhami, aktivitete të ndryshme dhe sipas rrezikshmërisë të anulohet edhe falja e namazit të xhumasë.
Po ashtu sugjerohet që pesë kohët e namazit të falen në mënyrë jo të organizuar, ndërkohë ezani të thirret në mënyrë të rregullt në të gjitha xhamitë.
Koronavirusi i ri, i njohur zyrtarisht si COVID-19, u zbulua për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan, Kinë, ndërsa ka shkaktuar deri tani mijëra të vdekur.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), që atëherë, virusi është përhapur në 110 vende, ndërsa OBSH-ja ka shpallur urgjencë ndërkombëtare shëndetësore.