Fatjon Cuka
07 Mars 2022•Përditësim: 07 Mars 2022
Me disa aktivitete të organizuara nga institucione të ndryshme në Shqipëri është shënuar sot 7 Marsi, Dita e Mësuesit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë është organizuar aktiviteti me temë “Nxënësit për mësuesit”, me pjesëmarrjen e zyrtarëve, mësuesve dhe nxënësve.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, në fjalën e saj tha se ky takim është një kartolinë e bukur falënderimi për mësuesit dhe mësueset.
"Sot në shërbimin tim si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, shkolla dhe mësuesit, nxënësit dhe studentët mbeten një ndër ndjeshëmritë më të mëdha profesionale, politike, institucionale dhe njerëzore", u shpreh Nikolla.
Një fjalë përshëndetëse në aktivitet mbajti dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, e cila përcolli urimet e saj me rastin e Ditës së Mësuesit.
Ndërkohë, në kuadër të kësaj dite, kryeparlamentarja Nikolla ka zhvilluar edhe një takim me mësues në një nga gjimnazet e Tiranës.
Me rastin e 7 Marsit, institucionet arsimore, por edhe institucione të tjera kanë organizuar aktivitete të ndryshme, përfshirë ekspozita, takime dhe ceremoni.
Dita e Mësuesit përkon me hapjen e shkollës së parë shqipe, më 7 mars 1887 në qytetin e Korçës.