Fatjon Cuka
19 Prill 2021•Përditësim: 20 Prill 2021
Pesë persona kanë mbetur të plagosur me thikë në Xhaminë "Dine Hoxha" në Tiranë, transmeton Anadolu Agency(AA).
Sipas njoftimit nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, një shtetas në Rrugën e Kavajës është futur në ambientet e xhamisë dhe në rrethana ende të paqarta ka plagosur me mjet prerës 5 persona.
"Falë reagimit profesional dhe të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë është bërë i mundur neutralizimi dhe prangosja e autorit të dyshuar, shtetasi Rudolf Nikolli 34 vjeç, nga Burreli, i cili po shoqërohet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për veprime të mëtejshme", thuhet në njoftimin e policisë.
Gjithashtu thuhet se shërbimet e policisë iu kanë dhënë ndihmën e parë personave të lënduar, të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe sipas policisë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në lidhje me ngjarjen është ngritur një grup hetimor i cili sipas policisë vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.