Agim Sulaj
06 Qershor 2019•Përditësim: 06 Qershor 2019
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) sot diskutoi për Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën 2019 në pjesën ekonomike, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencën për media ku u diskutua Raporti i KE-së, u tha se në Kosovë ende po mbizotëron axhenda e politikave ditore, ndërsa zhvillimi ekonomik është lënë pas.
Drejtori i OEK-ut, Berat Rukiqi tha se progres nuk ka pasur as në implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, kjo për shkak të motivit të ulët institucional për t’u marrë me të.
"Reformat në ekonomi nga krejt ajo që shohim kanë ngecje dhe kjo vërehet pastaj edhe në atë që është shqetësuese në shumë raporte që nga viti në vit kemi rënie të investimeve të huaja direkte, përderisa të gjitha vendet e rajonit kanë rritje të investimeve të huaja direkte. Unë besoj se kjo është temë serioze me të cilën duhet të merret i gjithë establishmenti dhe komplet akterët brenda vendimmarrjes politike dhe brenda sektorit privat, për shkak se jemi duke e humbur momentumin", tha Rukiqi.
Rukiqi tha se kompanitë e shteteve më të fuqishme po kalojnë në sfida të ndryshme në vendet e origjinës dhe në vendet ku kanë investuar. Ai thotë se si mundësi e mirë nga këto kompani po shihet investimi në Evropën Juglindore, teksa tha se shpreson që Kosova do të jetë në plan të këtyre investimeve.
Drejtoresha për analiza ekonomike në OEK, Olivera Ceni, tha se bizneset, nga një studim për eksport i mbështetur nga Ministria e Inovacionit, kanë thënë se kanë probleme me tregun e vogël të Kosovës, kushtet e pagesës si dhe mungesën e gjetjes së stafit adekuat.
"Janë tri probleme kryesore të cekura prej bizneseve që nuk po arrijnë të gjejnë staf të kualifikuar mirë në fushën e eksportit. Sigurisht e para është mungesa e kurikulave të përshtatshme dhe harmonizimi i këtyre kurikulave me kërkesat dhe nevojat e punëdhënësve. Pasuar nga mostërheqja e të rinjve për t’u bashkuar me sektorin privat për dy arsye, qoftë për shkak të mosleverdisë financiare ose edhe për shkak të sigurisë që ofrojnë sektori privat në vendin e punës. Dhe e treta, por jo më pak e rëndësishme është migrimi i fuqisë punëtore të re", tha Ceni e cila shtoi se arsyet e migrimit ndodhin për dy faktorë; nivelit të ulët ekonomik në vend dhe shkallës së lartë të varfërisë.
Ajo tha se vetëm 10 për qind e kompanive vendore nuk eksportojnë produkte jashtë Kosovës ndërsa 82 për qind e tyre kanë deklaruar se produktet e tyre plotësojnë standardet e kërkuar nga Bashkimi Evropian (BE).
Në këtë konferencë u përmend edhe paga minimale prej 250 eurosh, për të cilën nga OEK thanë se "përcaktimi i saj nga Kuvendi është jashtë çdo logjike".