Furkan Abdula
23 maj 2020•Përditësim: 25 maj 2020
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, me rastin e festës së Fitër Bajramit ka uruar qytetarët e besimit islam në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Të dashur bashkëqytetarë, më lejoni që me rastin e festës së madhe muslimane të Fitër Bajramit të dërgoj urimet e mia më të sinqerta për qytetarët e besimit islam, duke ju uruar që festën ta kaloni në lumturi, me shëndet të mirë dhe harmoni me të dashurit tuaj", tha Pendarovski në urimin e tij.
Pendarovski u shpreh se në fund të muajit të shenjtë të Ramazanit, pas një muaji agjërimi, dëshiron që të gjitha lutjet të dëgjohen dhe që tek të gjithë besimtarët të mbizotërojë solidariteti, mirëkuptimi dhe të ndihmojnë ato që kanë nevojë për ndihmë.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut uroi që kjo festë të na kujtojë se vetëm me përpjekje të përbashkëta dhe respekt të ndërsjelltë do të jemi në gjendje t'i mbajnë gjallë vlerat që na bashkojnë dhe që na sigurojnë mirëkuptim ndër-njerëzor, si dhe një të ardhme më të mirë.
Ai tha se këtë vit festën e Fitër Bajramit e shënojmë në një kohë kur jo vetëm Maqedonia e Veriut, por e gjithë bota po përballet me një nga kërcënimet më të mëdha për njerëzimin.
"Shfrytëzoj këtë rast për t'ju falënderuar për përjekjet tuaja deri më tani dhe për angazhimin tuaj për zbatimin e masave për mbrojtjen kundër pandemisë. Unë ju bëj thirrje që të jeni të kujdesshëm dhe të disiplinuar, si dhe të ndiqni rekomandimet kundër COVID-19 për të dal nga kjo sfidë gjeneruese dhe për të siguruar një jetë të shëndetshme për të gjithë në të ardhmen", tha Pendarovski.