Agim Sulaj
16 Korrik 2020•Përditësim: 17 Korrik 2020
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përfunduar ditën e katërt e cila ka qenë edhe e fundit në cilësinë e tij prej të intervistuari nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale për krime lufte me seli në Hagë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Thaçi, sikurse edhe tri ditët e para të intervistimit, edhe në ditën e katërt ka qëndruar më shumë se 6 orë brenda.
Në një deklarim për media, Thaçi bëri të ditur se e ka përfunduar procesin e dhënies së dëshmisë nga ana e tij, ndërsa tani i mbetet prokurorit dhe gjykatësit të rastit të vlerësojnë dëshminë e dhënë.
Presidenti kosovar tha se “gjatë këtyre katër ditëve jam munduar të sqaroj dhe të jap informacione për rolin tim, përgjegjësitë e mia gjatë luftës”.
“Unë konsideroj se kemi pasur seanca produktive. Tani i mbetet prokurorit dhe gjykatësit që të vlerësojnë me paanshmëri dhe me mendje të hapur dëshminë time. Në rast se ata bëjnë një gjë të tillë në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të ndershme, ata lehtë mund të vijnë në përfundimin se unë nuk kam bërë asnjë lloj krimi apo shkelje të pretenduara”, theksoi Thaçi.
Ai përsëriti se lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës (UÇK), nën emblemën e së cilës Thaçi po akuzohet se ka bërë krime lufte, ka luftuar për liri, ndërsa shtoi se “pikërisht se ishte luftë e drejtë ne kemi pasur mbështetjen e botës demokratike, SHBA-së, BE-së dhe NATO-s”.
“Pikërisht përpjekjet për të rishkruar historinë, për të njollosur luftën tonë të drejtë, janë gjithashtu përpjekje për të njollosur intervenimin humanitar të NATO-s në Kosovë. Por e vërteta jonë e dhimbshme por edhe krenare është e pastër si loti, ndërsa historinë tonë nuk do të mund ta ndryshojë askush”, shtoi ai.
Ndryshe, në aktakuzën e bërë publike më 24 qershor, pretendohet se Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë, janë “penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme”, ndërsa këto krime sipas të njëjtit burim, përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë, romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë të tyre.