Agim Sulaj
18 Shkurt 2022•Përditësim: 18 Shkurt 2022
Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, në margjina të Konferencës së Sigurisë në Mynih (MSC) është takuar me kryeministrin e Libanit, Najib Mikati, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç bëhet e ditur në njoftimin e Zyrës së Presidentit të Kosovës, presidentja Osmani dhe kryeministri Mikati shprehën vullnetin për t'i forcuar marrëdhëniet dypalëshe “në mënyrë që t'i afrojnë të dy vendet dhe të dy popujt”.
Presidentja Osmani dhe kryeministri Mikati ranë dakord që raportet historikisht të mira të dy shteteve “të avancohen edhe më tej me veprime konkrete në dobi të popujve që përfaqësojnë”.
Libani është shtet i Azisë Perëndimore që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, megjithëse nga shpallja e saj më 18 shkurt 2008, udhëheqës të institucioneve të larta të Kosovës i janë drejtuar me kërkesa zyrtare për një gjë të tillë.
Deri më tani, Kosova, e cila shënoi dje përvjetorin e 14-të të shpalljes së pavarësisë është njohur nga 117 shtete të ndryshme të botës.