Agim Sulaj
16 shtator 2026•Përditësim: 16 shtator 2026
Protestuesit kundër vendimit të Gjykatës Speciale për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), u mblodhën para zyrave të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), raporton Anadolu.
Protestuesit kanë brohoritur emrat e katër ish-krerëve të UÇK-së të dënuar të mërkurën në Gjykatën Speciale.
Gjatë protestës para zyrave të EULEX-it pati edhe hedhje me shishe dhe me gurë tek njëra nga hyrjet për në zyrat e Misionit EULEX, por protesta vijoi pa incidente.
Protestuesit fillimisht e përcollën në shesh seancën e Gjykatës Speciale, më pas shkuan në këmbë nga sheshet në drejtim të këtyre zyrave.
Partitë politike në vend kanë bërë thirrje për qetësi e maturi pas vendimit dënues për ish-krerët e UÇK-së.
Pas seancës gjyqësore, kanë folur edhe avokatët mbrojtës të Thaçit dhe Veselit.
Pierre-Richard Prosper, avokati i Hashim Thaçit, e ka cilësuar si “dështim të drejtësisë” aktgjykimin e sotëm ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Prosper ka thënë se mbrojtja do ta apelojë vendimin, ndërsa ka akuzuar Tribunalin se, sipas tij, e ka “rishkruar historinë”.
“Ne do të apelojmë. Por, kjo është ditë e zezë për drejtësinë ndërkombëtare. Është edhe fundi i drejtësisë penale ndërkombëtare”, ka thënë Prosper.
Edhe avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon në një deklarim për media pas vendimit, tha se është “thellësisht i zhgënjyer me shpalljen fajtor dhe dënimin”.
“Gjatë gjithë procesit gjyqësor kemi theksuar qartë mungesën e provave për përfshirjen e tij në ndonjë rrëmbim, ndonjë vrasje apo ndonjë veprimtari kriminale gjatë luftës për lirinë e Kosovës. Fatkeqësisht, kjo nuk është një ditë e mirë për Kosovën. Nuk është një ditë e mirë as për sundimin e ligjit dhe as për të drejtën ndërkombëtare. Prandaj, do ta shqyrtojmë me shumë kujdes këtë aktgjykim të gjatë që sapo kemi marrë, me qëllim që të paraqesim një ankesë të fuqishme, për të vazhduar luftën për të dëshmuar pafajësinë e Veselit dhe për ta kthyer atë në shtëpi, në Kosovë”, tha Dixon.
Thaçi dhe Krasniqi u shpallën fajtor dhe u dënuan me nga 25 vjet burgim ndërkaq Veseli me 18 vjet burgim dhe Selimi me 13 vjet burgim nga Gjykata Speciale.
Ish-udhëheqësit e UÇK-së u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.