Admir Fazlagikj
28 Shkurt 2020•Përditësim: 28 Shkurt 2020
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar informatën në lidhje me hapat e ardhshëm dhe vendimet që ndërlidhen me parandalimin e përhapjes së koronavirusit (Covid-19) dhe ka vendosur që t'u rekomandojë organizatorëve që të anulojnë të gjitha tubimet publike deri më 6 mars 2020, transmeton Anadolu Agency (AA).
Nga Qeveria njoftojnë se ministrat konstatuan se të gjitha masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga institucionet tjera, kanë dhënë rezultatet e duhura dhe se po realizohet plotësisht parandalimi dhe kontrolli i përhapjes së padëshiruar të koronavirusit.
"Me qëllim parandalimin e mëtutjeshëm, Qeveria ka pranuar propozimin e Komitetit Drejtues për Koordinimin dhe Menaxhimin e Sistemit të Menaxhimit të Krizave, të mbajtur më 27 shkurt 2020, të krijuar në bazë të mendimit të Komisionit për Sëmundje Infektive pranë Ministrisë së Shëndetësisë, dhe miratoi konkluzion për t'u rekomanduar organizatorëve që të anulojnë të gjitha tubimet publike deri më 6 mars 2020", thuhet në kumtesën e Qeverisë.
Rekomandimi i Qeverisë ka të bëjë me tubimet më të mëdha publike që janë planifikuar në këtë periudhë, siç janë karnevalet në Strumicë dhe Prilep.
"Qeveria u rekomandon organizatorëve të ngjarjeve sportive që ndeshjet deri më 6 mars të luhen pa publik. I njëjti rekomandim i Qeverisë vlen për të gjitha evenimentet më të mëdha zbavitëse dhe ngjarjet kulturore dhe artistike", thuhet në kumtesë.
Qeveria gjithashtu u ka rekomanduar organizatorëve të ngjarjeve tjera publike që vendimet t'i marrin në konsultim me Komisionin për Sëmundje Infektive, ndrësa ka paralajmëruar edhe kontrolle nëpër barnatore për të inspektuar rezervat dhe çmimet e pajisjeve mbrojtëse kundër transmetimit të virusit.
Një nga konkluzionet e mbledhjes qeveritare është edhe vendosja e bashkëpunimit me Kryqin e Kuq të Maqedonisë së Veriut për të ftuar vullnetarët e tyre që të ndihmojnë në vendkalimet kufitare me anketimin e personave që hyjnë në vend, në bashkëpunim me policinë kufitare.
Kujtojmë se të mërkurën, ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe informoi për rastin e parë të konfirmuar të koronavirusit në Maqedoninë e Veriut.