Abdula Berisha
06 Qershor 2019•Përditësim: 06 Qershor 2019
Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamet Hoxha, mbajti një konferencë të rregullt për media ku njoftoi për vendimet e marra në mbledhjen e 138-të të rregullt të Qeverisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Hoxha tha se qeveria ka shqyrtuar informacionin për çështjet kyçe dhe rekomandimet nga Raporti i Komisionit Evropian (KE) për vitin 2019 dhe se janë miratuar konkluzionet e propozuara nga Sekretariati për Çështje Evropiane.
“Në bazë të konkluzioneve, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e angazhoi Sekretariatin për Çështje Evropiane që të përgatisë Plan për realizimin e prioriteteve afatshkurta nga Raporti i Komisionit Evropian dhe menjëherë ta dorëzojë për analizë detale edhe Planin për dinamikën e revizionit të programit Nacional për miratimin e të drejtës të Bashkimit Evropian”, tha Hoxha.
Ai gjithashtu tha se qeveria ka miratuar vendimin për shumën dhe mënyrën e pagesës së kompensimeve për shfrytëzimin e rrugës që ndërlidhet me vendosjen e pikë-pagesave rrugore në rrugët e reja të autostradës Demir Kapi-Gjevgjeli, Miladinovci-Sveti Nikollë, Sveti Nikollë-Shtip.
Siç theksoi Hoxha, ky vendim gjithashtu ka të bëjë edhe me mundësinë për pagesë elektronike të pagesës rrugore me karta elektronike.
Zëdhënësi qeveritar po ashtu informoi se procedura për ndërtimin e qendrës së re klinike në komunën Gjorçe Petrov të Shkup po vijon sipas parashikimeve, duke shtuar se Qeveria ka miratuar ndryshimin në planin urbanistik sipas së cilit toka bujqësore shndërrohet në tokë ndërtimore.