Adel Omeragic
07 Qershor 2019•Përditësim: 08 Qershor 2019
Në një operacion të përbashkët të policive të rajonit që është zbatuar mes datave 24 maj-6 qershor në pjesën mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, është parandaluar kalimi i kufirit të 92 personave, ndërsa në të njëjtën periudhë janë konfiskuar 333 kilogram drogë “skank”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në Podgoricë sot u prezantuan rezultatet e operacionit rajonal policor të titulluar “Tuzi II dhe Sukobin I”. Ndonëse në fokus të këtij operacioni ishin migrimet ilegale, policia ka arritur të konfiskojë edhe një sasi të madhe të drogës, ndërsa është parandaluar edhe transportimi i automjeteve të falsifikuara.
Përveç pjesëtarëve të policisë malazeze, në operacion morën pjesë oficerë policie nga Shqipëria, Austria, Bosnjë e Hercegovina, Bullgaria, Maqedonia, Moldavia, Serbia, Sllovenia, si dhe anëtarë të EUROPOL-it.
“Operacionet kishin për qëllim luftimin e migracionit. Ato ishin planifikuar me shumë kujdes. U realizuan në kufirin midis Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe ka qenë tërësisht i suksesshëm”, deklaroi Vojisllav Dragoviç, në cilësi të shefit të Departamentit për Kontrollin Shtetëror të Kufirit të Malit të Zi.
Velibor Vuçiniq, inspektor i Lartë për mbikëqyrje të kufirit tha se në këtë operacion morën pjesë 93 pjesëtarë të policisë, të cilët kanë penguar migracionin e paligjshëm dhe forma të tjera të krimit ndërkombëtar.
Ai bëri të ditur se 92 persona u ndaluan në tentativën për të kaluar ilegalisht kufirin ndërsa 79 persona të tjerë ishin zbrapsur nga kalimi ilegal i kufirit, për çka janë ngritur edhe kallëzime për trafikim me qenie njerëzore.
“Përveç kësaj në ujërat midis dy vendeve janë konfiskuar 258 kilogram 'skank' ku pati katër persona të arrestuar. Në tokë janë konfiskuar 75 kilogramë 'skank'. Gjatë operacionit ka pasur edhe një falsifikim të shasisë së një automjeti BMW, ndërsa një person i cili kishte një patentë të falsifikuar të SHBA-së u ndoq penalisht", shpjegoi Vuçiniq.
Drejtori i Programit për Siguri të Rajonit (DCAF), Anton Travner tha se operacionet e përbashkëta kanë disa qëllime, kryesisht shkëmbimin e përvojave, ku luan rol besimi i ndërsjellë, me çka opinionit i dërgohet mesazhi se policia në rajon mund të punojë dhe punon së bashku.