Agim Sulaj
27 nëntor 2026•Përditësim: 27 nëntor 2026
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, në kuadër të Procesit Bërdo-Brioni në Ohër, është takuar me presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, transmeton Anadolu.
Siç njofton Zyra e Presidentes, presidentja Shiroka Pula në këtë takim theksoi se orientimi euroatlantik i Kosovës mbetet i palëkundur dhe se vendi është plotësisht i përkushtuar ndaj agjendës evropiane.
Presidentja Shiroka-Pula shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë ndaj Kosovës duke vlerësuar në veçanti mbështetjen sllovene për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës derisa theksoi rëndësinë e vazhdimit të këtij angazhimi deri në përmbylljen e procesit.
Në takim u diskutuan edhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik si dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare.
Shiroka-Pula theksoi se krahas përshpejtimit të reformave dhe forcimit të bashkëpunimit rajonal, anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet prioritet strategjik dhe synim kryesor në fushën e sigurisë.
Ajo vlerësoi rëndësinë e Procesit Bërdo–Brioni, të iniciuar nga Sllovenia dhe Kroacia, në mbështetje të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke rikujtuar se Kosova është pjesë e këtij procesi që nga viti 2013, kur u mbajt takimi i parë në Slloveni.