Abdula Berisha
04 Korrik 2019•Përditësim: 04 Korrik 2019
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, nëpërmjet një konference për media ka njoftuar për fillimin zyrtar të festivalit "Summerland" në Shkup, i cili do të mbahet në datat 4-28 korrik, raporton Anadolu Agency (AA).
Shilegov tha se pas eksperiencës së mirë që Shkupi e kishte me "Winterland", pason "Summerland", ku që siç u shpreh ai, qytetarët e Shkupit do të mund të argëtohen çdo natë me program të pasur muzikor, por edhe me elemente tjera argëtuese.
"Do të sigurojmë për shkupjanët një vend të këndshëm ku gjatë këtij muaji do të mund t'i kalojnë orët e lira, me qëllim që edhe në këtë mot të nxehtë t'u japim sadopak mundësi shkupjanëve që të freskohen, të argëtohen dhe të shoqërohen mes vete. Kështu që pres që kjo ngadalë të shndërrohet në traditë, edhe gjatë dimrit edhe gjatë verës Shkupit t'i dhurojmë diçka që deri më tani nuk e ka pasur dhe një mënyrë tjetër të argëtimit për shkupjanët", tha Shilegov.
Kryetari i Qytetit të Shkupit bëri të ditur se për këtë projekt janë ndarë 4 milionë denarë (rreth 65 mijë euro), ndërsa përpos programit muzikor do të ketë edhe një "Fun zone" me lojëra të ndryshme argëtuese. Në kuadër të festivalit, gjithashtu janë paraparë edhe aktivitete edukative dhe argëtuese për fëmijët.
"Summerland" mbahet në parkun e qytetit, ndërsa programi argëtues do të zhvillohet çdo ditë nga ora 18:00-00:30. Në kuadër të festivalit, para publikut do të paraqiten artistë vendas dhe të huaj.