Husamedin Gina, Abdula Berisha
14 Shtator 2021•Përditësim: 15 Shtator 2021
Me nismë të zëvendësministes së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Fatmire Isaki, dhe në patronazhin e zonjës së parë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Elizabeta Gjorgievska, sot në Shkup filloi konferenca dyditore me temën “Gratë në politikën e jashtme”, raporton Anadolu Agency (AA).
Fokusi i konferencës është avancimi i pozitës së grave në politikën e jashtme, si dhe në të gjitha proceset e tjera vendimmarrëse në vend.
Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani iu drejtua konferencës, duke theksuar se kjo konferencë është e para e këtij lloji e organizuar në vend.
"Arritja e barazisë gjinore është detyra jonë morale dhe nevoja urgjente sepse nuk është vetëm një e drejtë themelore e njeriut, por edhe bazë e fortë për një shoqëri më paqësore, të begatë dhe kohezive. Për më tepër, inkurajimi i pjesëmarrjes së konsiderueshme të grave në proceset vendimmarrëse është i lidhur ngushtë me suksesin e përgjithshëm të vendit, mirëqenien e dhe zhvillimin e tij demokratik", tha Osmani.
Duke iu drejtuar konferencës, zonja e parë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Elizabeta Gjorgievska, theksoi se nisma është veçanërisht e rëndësishme për faktin se është e nevojshme të flitet më shpesh, dhe të angazhohemi më aktivisht në ndryshimin e përfaqësimit dhe rolit të grave në politikën e jashtme.
"Ne duhet të mendojmë për futjen e mekanizmave për të mbështetur gratë që punojnë me qëllim që të kenë avancim karrierën e tyre, e jo të përballen me dilemën nëse ato mund të kenë një familje dhe karrierë. Edhe kjo duhet të jetë një nga agjendat kryesore të përfaqësimit", tha Elizabeta Gjorgievska.
Duke theksuar se në këtë konferencë do të miratohet një deklaratë e përbashkët për krijimin e një rrjeti të grave diplomate nga Ballkani Perëndimor, Gjorgievska tha se shpreson që krijimi i këtij rrjeti të jetë një mundësi për rritjen e komunikimit, shkëmbimin e përvojave të grave diplomate.
Zëvendësministrja e Jashtme Fatmire Isaki theksoi se gratë nuk duhet të mbeten vetëm numër, duke shtuar se kur gratë angazhohen në "role jotradicionale", ato krijojnë më shumë vlerë, kreativitet dhe energji.
Sipas organizatorëve, në forumin dyditor pritet të drejtohen edhe kryeministri Zoran Zaev, ish-sekretarja amerikane e Shtetit Madeleine Albright, ambasadori i BE-së David Gere, ministrja e Jashtme suedeze Ann Linde, Clemens Koya, shef i misionit të OSBE-së në vend, ambasadorja e SHBA-së Kate Marie Burns dhe ambasadorja britanike Rachel Galloway.