Abdula Berisha
23 Nëntor 2019•Përditësim: 23 Nëntor 2019
Me një akademi selemne të organizuar nga Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve midis Komuniteteve të Maqedonisë së Veriut, në Shkup është shënuar 111-vjetori i 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit Shqip, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë manifestim të pranishëm ishin kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, zv/kryeministrat Sadulla Duraku dhe Bujar Osmani, ministra, diplomatë, kryetarë komunash, afaristë dhe të ftuar të tjerë.
Duke uruar 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit Shqip, kryeministri Zoran Zaev tha se kjo akademi solemne është vetëm njëra nga evenimentet e shumta që janë organizuar këto ditë në nder të historisë së popullit shqiptar dhe të Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se duhet shrytëzuar dallimet mes komuniteteve për të vendosur mirëkuptim dhe tolerancë.
"Festimi i traditave kulturore, datave dhe trashëgimisë shpirtërore të tjetrit, kontribuon në ndërtimin e një shoqërie të vetme dhe për të gjithë me një të ardhme proevropiane dhe të prosperuar. Kjo është veçantia dhe thelbi i bashkësisë sonë", tha Zaev.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në fjalimin e tij tha se gjuha bashkon njerëz dhe ide, si dhe mundëson bashkëpunim dhe zhvillim.
"Një gjuhë është aq e pasur, aq e vlefshme, sa flitet e sa shkruhet, pasurohet dhe përhapet në botë. Ajo është vegël e fuqishme në ngritjen intelektuale, kulturore, artistike, por mbi të gjitha, shenjë identitare e një populli", tha Xhaferi.

Zv/kryeministri dhe ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Komuniteteve, Sadulla Duraku, gjatë fjalimit të tij tha se Kongresi i Manastirit ishte pasqyra e nivelit të ngritur intelektual të asaj kohe, duke shtuar se përdorimi i gjuhës amtare është e drejtë themelore njerëzore.
"Një shtet multietnik, nënkupton edhe përdorimin e gjuhëve të ndryshme. Jo në dëm të gjuhëve të tjera, por si vlerë kulturore që begaton shoqërinë. Gjuha duhet të jetë elementi kyç i bashkëpunimit në mes të bashkësive etnike, sepse është identiteti themelor i identitetit të kombit ", tha Duraku.
Fjalim rasti kishte edhe kryetari i partisë politike Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, i cili theksoi se Kongresi i Manastirit nuk kontribuoi vetëm për historinë shqiptare, por edhe për fqinjët e tyre, duke shtuar se këto zhvillime që kanë ndodhur në hapësirat tona të na shërbejnë si një moment i rëndësishëm që ne të forcojmë komunikimin, të forcojmë bashkëpunimin.
Dita e Alfabetit Shqip apo Kongresi i Manastirit shënon mbledhjen e dijetarëve shqiptarë që u zhvillua më 14-22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, me synimin e përcaktimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Në këtë kongres ishin të pranishëm delegatë të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga shoqata dhe klube shqiptare nga e gjithë bota, të cilët miratuan vendimin e pranimit të alfabetit latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar në 36 shkronja të gjuhës shqipe.
Për popullin shqiptar, Kongresi i Manastirit ishte ngjarja më e rëndësishme në fillimin e shekullit XX, ku me rezulltatet e saj më 28 nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë. Me këtë, 22 nëntori mbetet ditë përkujtimore në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe në diasporën shqipëtare.