Husamedin Gina
28 Maj 2021•Përditësim: 28 Maj 2021
Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, foli në hapjen e panelit "Rruga drejt Forumit të Prespës për Dialog", që është një ngjarje hyrëse e "Forumit të Prespës për Dialog" që do të mbahet në 1-2 korrik 2021 në Ohër, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për media, ministri Osmani tha se paneli i sotëm, në të cilin morën pjesë ekspertë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar, ishte paralajmërim para konferencës së madhe ndërkombëtare "Forumi i Prespës për Dialog".
"Baza e Forumit të Prespës për Dialog është thelbi i tre marrëveshjeve tona, sipas të cilave Maqedonia e Veriut njihet si një shembull unik në rajonin e gjerë. Këto janë Marrëveshja Korrnizë e Ohrit, Marrëveshja e Miqësisë me Bullgarinë dhe Marrëveshja e Partneritetit Strategjik me Greqinë e njohur si Marrëveshja e Prespës", tha Osmani.
Të tre marrëveshjet, siç theksoi Osmani, gëzojnë legjitimitet të fortë, të brendshëm dhe ndërkombëtar dhe janë pranuar gjerësisht si në vend ashtu edhe në mesin e miqve tanë ndërkombëtarë.
Duke theksuar se marrëveshjet i njohin parimet dhe vlerat e fuqishme politike që kanë rëndësi universale, Osmani tha se marrëveshjet kryesisht përmbajnë hapa të guximshëm politikë në ndërtimin e kompromiseve afatgjata dhe të qëndrueshme, respektin e ndërsjellë, si dhe durimin politik dhe diplomatik.
Sipas Osmanit, paneli "Forumi i Prespës për Dialog" është një projekt shtetëror nën organizimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe nën kujdesin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Kryediplomati Osmani tha se kjo është një konferencë ambicioze me karakter ndërkombëtar, duke shtuar se ekziston një listë mbresëlënëse e të ftuarve.
Paneli "Forumi i Prespës për Dialog" do të shërbejë si një platformë për mbledhjen e ideve dhe propozimeve, të cilat do të paraqiten në një dokument të përbashkët të Politikës Rajonale, me rekomandime politike, ekonomike dhe sociale për marrëveshjet rajonale dhe dypalëshe në Ballkanin Perëndimor.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me propozimin e presidencës portugeze për të zgjidhur mosmarrëveshjen midis Maqedonisë së Verriut dhe Bullgarisë, Osmani tha se ditët e fundit ata kanë filluar seriozisht procesin e ndërtimit të besimit midis të dy palëve.