Saimir Alija
08 Prill 2019•Përditësim: 09 Prill 2019
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, në Tiranë por edhe qytete të tjera të vendit janë organizuar aktivitete të ndryshme, me fokus promovimin e të drejtave të këtij komuniteti, raporton Anadolu Agency (AA).
Në kryeqytetin e Shqipërisë është hapur një ekspozitë arti me temë: "1000 vjet histori rome", ndërsa në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Shqipëri, Luigi Soreca, dhe përfaqësues të shoqatave të romëve në Shqipëri.
Në fjalën e saj, Manastirliu tha se kjo është një ekspozitë ndryshe, e cila transmeton vlerat e kulturës dhe traditës rome përmes artit.
“Për të dytin vit radhazi hapëm një fushatë të rëndësishme që është ajo për shërbime shëndetësore në komunitet dhe besoj se do të jetë një fushatë po aq e vlefshme sa ajo e vitit të kalaur, ku përmes shërbimeve komunitare shëndetësore arritëm të përmirësonim nivelin e vaksinimit të fëmijëve romë, sipas një kalendari që nuk duhet neglizhuaur për kujdesin e fëmijëve romë. Gjithashtu kemi ofruar kujdes shëndetësor edhe për gratë rome, qoftë nëpërmjet përkujdesit në qendrat e shërbimeve parësore, si dhe shërbimet sociale që janë një përgjegjësi direkte e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”, tha Manastirliu.
Sa u përket të drejtave të komunitetit rom, Manastirliu tha: “Të drejtat rome janë të drejtat e njeriut. Ne jemi duke punuar në mbështetje të një programi të integrimit të komunitetit rom. Një plan veprim i mbështetur edhe nga partnerët tanë, të cilët kanë dhënë një ndihmesë të madhe për integrimin e komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri”.
Sipas saj, mbetet ende shumë për t’u bërë për komunitetin rom, por nuk duhet harruar, tha ajo, se “avokatët më të mirë të romëve janë vetë romët”.
Ndërkaq, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Soreca, në fjalën e tij tha se ka ende shumë punë për të bërë nga qeveria dhe BE dhe e gjithë shoqëria për integrimin e komunitetit rom.
“Për ne integrimi do të thotë të bëjmë bashkë kultura dhe përvoja të ndryshme në harmoni dhe në paqe. Ne sot kemi një ekspozitë që na tregon se cila është kultura rome, sa e vjetër është ajo dhe duhet të punojmë më shumë që ta promovojmë këtë, në mënyrë që të gjithë ta kuptojnë këtë kulturë”, u shpreh Socreca.
Në ekspozitën e artistëve romë Sead Kazanxhiu dhe Alketa Ramaj, që do të qëndrojë e hapur katër ditë në ambientet e qendrës artistike ArTurbina, janë ekspozuar piktura të punuara me vaj në kanavacë, instalacione të punuara me polimer dhe tela me gjemba, shtëpiza të vogla prej gipsi të punuara me dorë dhe vepra të tjera.
Ndërkohë, 8 Prilli, Dita Ndërkombëtare e Romëve, është një ditë feste e kulturës rome dhe shërben për të rritur ndërgjegjësimin për problemet me të cilat përballet ky komunitet.