Fatjon Cuka
07 Qershor 2020•Përditësim: 08 Qershor 2020
Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë regjistruar 14 raste të reja me koronavirusin e ri (COVID-19), duke e rritur numrin e përgjithshëm të rasteve në 1.246, transmeton Anadolu Agency(AA).
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë realizuar 193 testime dhe rastet pozitive janë konfirmuar në Tiranë, Shkodër, Krujë dhe Durrës.
Sipas ministrisë, rastet e reja janë kontakte familjare të rasteve pozitive dhe disa raste të reja në proces hetimi.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 13 qytetarë, duke e rritur në 938 numrin e të shëruarve që nga fillimi i pandemisë dhe aktualisht 274 persona janë aktivë me COVID-19.
Deri më tani në Shqipëri janë kryer gjithsej 18.290 testime dhe 34 persona kanë humbur jetën nga koronavirusi.
Ministria ka theksuar se vazhdon puna intensive e epidemiologëve në terren për gjurmimin e rasteve me koronavirus.
Për shkak të COVID-19 në Shqipëri vazhdon gjendja e fatkeqësisë natyrore, ndërsa prej disa javësh ka filluar edhe lehtësimi i disa masave që u vendosën në gjithë vendin.